Bruksel, vazhdoi skriningu shpjegues për RMV-në mbi energjinë dhe rrjetet trans-evropiane (Video)

Në Bruksel sot ka vazhduar procesi i skriningut shpjegues për Maqedoninë e Veriut për klasterin e katërt, konkretisht kapitujt 15- “Energjia” dhe 21-“Rrjetet trans-evropiane”. Portalb.mk ndodhet në Bruksel dhe po ndjek nga afër se si zhvillohet ky proces.

Në këtë takim sqarues sot prezente ishte zëvendës kryenegociatorja e Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane Drita Abdiu-Halili.

Çfarë nënkupton kapitulli 15?

Kapitulli 15- Energjia mbulon sektorët si: siguria e furnizimit me energji, tregu i brendshëm i energjisë, ndihma shtetërore, energjia e rinovueshme, efiçenca e energjisë, energjia bërthamore dhe siguria bërthamore dhe mbrojtja nga rrezatimi. Acquisi është grup politikash që synojnë të mundësojnë kalimin në një ekonomi me karbon të ulët, ku fokusi është në burimet e rinovueshme të energjisë dhe efikasitetin e energjisë, si dhe në reduktimin e gazeve serrë. BE-ja është në ballë të dekarbonizimit përmes miratimit të Udhërrëfyesit të Energjisë 2050, me synime të larta për uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe rritjen e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe efikasitetit të energjisë, d.m.th. BE-ja do të ketë një ekonomi neutrale ndaj klimës, e cila është në qendër të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane të bazuar në Marrëveshjen e Parisit. BE-ja është e përkushtuar për funksionimin e pandërprerë të tregjeve të brendshme të energjisë, liberalizimin e plotë të tregjeve të energjisë, garantimin e sigurisë së furnizimeve të ndryshme me energji, diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji.

Çfarë nënkupton kapitulli 21?

Kapitulli 21- Rrjetet trans-evropiane mbulojnë fushat e mëposhtme: transportin, infrastrukturën energjetike dhe telekomunikacionin. Acquis është një grup politikash që kontribuojnë në kompletimin e rrjeteve rrugore, me qëllim krijimin e një rrjeti bazë për transportin rrugor, hekurudhor, ajror dhe ujor, rrugët ujore të brendshme, trafikun detar dhe portet. Qëllimi përfundimtar është plotësimi i infrastrukturës së munguar të trafikut, heqja e pengesave dhe barrierave teknike, duke krijuar një kohezion social, ekonomik dhe territorial në vend, rajon dhe BE. Në këtë fushë, BE-ja është gjithashtu e fokusuar në kompletimin e korridoreve energjetike, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe funksionimin pa probleme të tregjeve të brendshme.

Dje skriningu shpjegues për Klasterin e katërt filloi me kapitullin 14 “Politika e transportit” ndërsa nesër ky proces do të vijojë me kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.

Në lidhje me këto, në periudhën nga 15 deri më 20 mars, Komisioni Evropian do të prezantojë për ekipin negociator të Maqedonisë korpusin e ri të legjislacionit evropian, i miratuar në periudhën pas 2018/19.

Skriningu shpjegues ndiqet nga gazetarët e vendit

Procesin e skriningut shpjegues për klasterin e katërt e ndjekin disa gazetarë nga vendi të cilët kanë udhëtuar në Bruksel përmes projektit “Mbështetja Nordike për Progresin e Maqedonisë së Veriut”  për të përmirësuar komunikimin për procesin e anëtarësimit në BE, vlerat dhe përfitimet e tij.

Pjesëmarrës është edhe gazetari i Portalb.mk– Fisnik Xhelili. Projekti është bashkëpunim i përbashkët i UNOPS-it dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane, mbështetur nga Qeveria e Suedisë.

Gazetarët dje dhe sot në Bruksel në institucionet e BE-së dhe Misionit të Maqedonisë së Veriut në BE kanë pasur takime me zyrtarë, diplomat nga BE-ja dhe vendi, me të cilat janë diskutuar tema të ndryshme për sfidat në lidhje me procesin eurointegrues të vendit.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Kjo erdhi pas arritjes së  propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit të kaluar dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.

Më shumë lajme në lidhje me procesin e skriningut gjeni duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button