AKI: Kompania e Selmanit ka marrë pesë tender nga Komuna e Tetovës
Komuna e Tetovës ka dhënë pesë tenderë për kompaninë e Adnan Selmanit, njeriut të afërt me kryetarin e kësaj komune, Bilall Kasami, transmeton Portalb.mk.
“Në faqen e prokurimeve publike kjo kompani ka fituar pesë tenderë në vlerë 78 mijë euro”, njoftojnë nga Aleanca Kombëtare për Integrim, të cilët theksojnë se Selmani e udhëheqë PR-in e Kasamit.
Ata theksojnë se Selmani ka marrë rrogë edhe nga Ministria për Ekonomi dhe Ministria për Bujqësi.
“Kompania “On Media” e cila nga buxheti i Komunës së Tetovës ka zhvatur plot 83 mijë euro vetëm në vitin 2024-2025”, njoftojnë nga AKI, duke shtuar se në nëntë muajt e vitit 2025 kjo kompani ka marrë 66 mijë euro nga buxheti i Komunës së Tetovës.
Ndryshe, emrat e të punësuarve në Komunën e Tetovës përmes agjencisë private ‘Xhob 2011’ vazhdojnë të mbeten të panjohur për publikun, pavarësisht se të njëjtët paguhen me paratë e qytetarëve.
Portalb.mk ditë më parë nxori në pah se nga viti 2022 deri në 2025, Komuna e Tetovës së bashku me ndërmarrjet publike “Tetova Transport” dhe “Sharri” kanë shpenzuar mbi 1.6 milionë euro në kontrata për punësime të përkohshme përmes Agjencisë private për punësim “Xhob 2011”.
Edhe pse janë paguar me para publike, opinioni nuk e di se ku kanë shkuar këto para.