Akademiku Rexhep Qosja u shpall fitues i çmimit “Lumo Skëndo”
Rexhep Qosja është shpallur fituesi i Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024. Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës, transmeton Portalb.mk.
Nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit bëjnë të ditur se juria e kryesuar nga Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga, Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.
Përmes një videomesazhi, Rexhep Qosja ka falenderuar përfaqësuesit e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, dhe institucione të tjera për çmimin “Lumo Skëndo”.
“Çmimi “Lumo Skëndo”, me të cilin vlerësohet vepra ime, është nderim i veçantë që më dhurohet në moshën në të cilën jam”, është shprehur akademiku Qosja, i cili më pas foli për veprimtarinë e Mit’hat Frashërit, i cili mbante Lumo Skëndon si emrin e penës. Mit’hat Frashëri, Lumo Skendo, ishte personalitet me dhunti me kërshëri e me ide të gjithmundëshme krijuese”, ka theksuar Qosja.
Ky ishte edicioni i katërt i çmimit “Lumo Skëndo”, që përkoi me 145-vjetorin e lindjes së shkrimtarit, që la gjurmë si diplomat, shkrimtar dhe politikan, në disa nga periudhat më kritike për kombin shqiptar.
Akademiku Rexhep Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.