Ahmeti: Narrativat kundër shqiptarëve nuk prodhojnë marrëdhënie të mira ndëretnike

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, gjatë shënimit të 25-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, kritikoi narrativat që sipas tij po rikthehen në hapësirën publike dhe që vënë në pikëpyetje barazinë e shqiptarëve dhe statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, Portalb.mk.  

Ai foli edhe për narrativen e krijuar kohëve të fundi në hapësirën publike. Ahmeti tha se po të hymë në gara se kush është më i vjetër dhe kush është më i ri apo se gjuha shqipe nuk është zyrtare në këtë vend dhe shqiptarët që duan të flasin shqip duhet të shkojnë në Shqipëri e Kosovë apo që shqiptarët duhet të dëbohen pasi nuk janë vendas, e gjithë kjo narrativë nuk prodhon marrëdhënie të mira ndëretnike.  

“Ne kemi përgjegjësi si parti politike, përgjegjësi historike të punojmë në drejtim të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, të cilat janë si garanci të vetme që do të na anëtarësojnë në BE”, nënvizoi Ahmeti. 

Ai më tutje shtoi se Marrëveshja e Ohrit na anëtarësoj në NATO, marrëveshjet e radhës bashkë me Marrëveshjen e Ohrit duhet të na anëtarësojnë në BE.

Ahmeti tha se fatet e popujve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha.  

“Fatet tona janë vendosur në Berlin, Marrëveshjen e Shën Stefeanit, Konferencën e Versajës. Ne kemi paguar kosto të lartë dhe në tërë këto konferenca. Duke i pasur parasysh këto fakte historike, qëndrimi ynë si UÇK ka qenë që të respektohet shteti, por shteti i barabartë mes dy komuniteteve të mëdha. Por jo shqiptarët të jenë qiraxhinj në shtëpinë e vet”, tha Ahmeti.  

Kujtojmë që  Ali Ahmeti dërgoi letër të hapur, në të cilën shprehte shqetësim për qasjet institucionale që, sipas tij, mund të cenojnë barazinë, duke theksuar se problemi nuk qëndron te ligji, por te mungesa e zbatimit të tij në praktikë dhe vullnetit institucional për ta respektuar atë, me theks të veçantë te pikat e Marrëveshjes së Ohrit.