Agjencia për Siguri Kombëtare e RMV-së për herë të parë publikoi shpallje publike për punësim
Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK), për herë të parë që nga themelimi, ka publikuar konkurs publik për punësim, duke hapur dyert për të gjithë qytetarët kompetentë dhe të motivuar që dëshirojnë të jenë pjesë e institucioneve me domethënie kyçe për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, njoftojnë nga Agjencia, transmeton Portalb.mk.
Shpallja publike është për punësimin e tetë inspektorë inxhinierë me afat të pacaktuar. Kandidatët e interesuar duhet të kenë diplomuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, Inxhinierisë Elektrike, Teknologjisë Kompjuterike dhe Informatikës, Inxhinieri Telekomunikacionit dhe të kenë të paktën katër vite përvojë pune.
Kandidatët, përveç kushteve të tjera që duhet të plotësojnë, duhet të japin edhe pëlqimin për testimin e poligrafit. Për kandidatin që refuzon testin e poligrafit, konsiderohet se nuk i plotëson kushtet për krijimin e marrëdhënies së punës në Agjenci.
Formulari i aplikimit është i disponueshëm në faqen zyrtare të Agjencisë për Siguri Kombëtare – www.anb.gov.mk në rubrikën “Transparenca”.
“Ky paraqet një hap historik në drejtim të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, gjë që konfirmohet nga vendosmëria e Agjencisë për të ndjekur standardet më të larta në procesin e burimeve njerëzore dhe për t’u dhënë mundësinë të gjithë qytetarëve që plotësojnë kriteret të bëhen pjesë e një ekipi profesional të përkushtuar për mbrojtjen e interesave kombëtare”, thanë nga ASK.
Kujtojmë se në fillim të këtij viti kjo Angjenci ishte në fokus të mediave dhe opinionit pas emërimit në krye të saj të Bojan Hristovskit, i cili kishte dorëzuar certifikatën TOEFL nga Plovdivi i Bullgarisë, ku nuk ka fare qendër testimi TOEFL, pra dyshohej për certifikatë të rreme. Ky rast u përmbyllë pa u sqaruar deri në fund.