Besimi: Prej muajit prill, do të ketë rritje reale të pagave në Maqedoninë e Veriut

“Që nga prilli ka një rritje reale të pagave. Efektet e krizave nuk i ndjejnë vetëm qytetarët tanë, por ndjehen edhe në Evropë dhe në botë. Sfidat ende mbeten sepse ka lëvizje gjeopolitike të cilat ndikojnë edhe ndaj tregjeve”, deklaroi sot ministri i Financave Fatmir Besimi, raporton TV21, transmeton Portalb.mk.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Besimi tha se që nga prilli pagat nuk po rriten vetëm në mënyrë nominale, po dhe inflacioni po ulet. Ajo që është më e rëndësishme, sipas Besimit, nuk është vetëm që pagat realisht të rriten, por rritja reale e pagave të jetë e qëndrueshme. 

“Në asnjë moment nuk kemi thënë se do të bëjmë 100 përqind absorbim të goditjes ekonomike. Maqedonia ishte më e prekura për sa i përket çmimeve në tregun evropian dhe te dhe ne atë efekt e zbutëm dhe do të vazhdojmë edhe më tej. Edhe qytetarët shohin se edhe krahas kësaj që  po rriten çmimet, ka pasur rritje të pagave si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat në krahasim me vendet e tjera”, tha Besimi.

Përkujtoi se ekonomia e Maqedonisë është e vogël dhe e integruar lartë në tregun evropian dhe se 160 për qind e BPV-së është tregti nga e cila 80 përqind është me BE-në, ndërsa mbi gjysma është me Gjermaninë, e cila këtë vit është në recesion.

Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut në muajin gusht është regjistruar rritje e rrogës mesatare për 14.2 përqind në krahasim me gushtin e vitit të kaluar. Rroga mesatare mujore neto në gusht ishte 36 390 denarë.

“Kjo rritje ka ardhur si rezultat i, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore neto për të punësuarit në sektorët: Shërbime administrative dhe mbështetëse (21.6%), Arsimi (17.5%) dhe Ndërtimtaria (16.5%)”, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Rroga më e lartë mesatare është regjistruar në Programim kompjuterik (92 464), ndërsa më e ulët në Veprimtaritë e sigurisë dhe të hetimit(20 021).