Aeroplani bëri ulje emergjente pasi iu shkëput rrota gjatë ngritjes në SHBA

Një avion pasagjerësh i tipit “Boeing 777” i kompanisë United Airlines në SHBA ka bërë ulje emergjente pasi i është shkëputur rrota gjatë ngritjes, transmeton Anadolu.

Rrota e majtë e avionit, i cili po udhëtonte nga San Francisco për në Osaka të Japonisë, u shkëput disa sekonda pas ngritjes.

Rrota ra në parkingun e personelit të Aeroportit Ndërkombëtar të San Franciscos, theu xhamin e pasëm të një automjeti dhe më pas u rrotullua dhe u ndal në fushën ngjitur me aeroportin.

Zyrtarët e aeroportit njoftuan se askush nuk është lënduar nga incidenti.

Nga ana tjetër, avioni me 235 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 14 personash, bëri ulje emergjente të sigurt në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angelesit dhe u tërhoq në hangar.

Pasagjerët janë ridrejtuar nga United Airlines në një avion tjetër.

Duke shpjeguar se avioni të cilit iu shkëput rrota ishte prodhuar në vitin 2002, United Airlines njoftoi se “Boeing 777” është projektuar për t’u ulur në mënyrë të sigurt me rrota të humbura ose të dëmtuara.