8 Marsi, festë apo protestë?

Sot, më 8 Mars, shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, një datë që në mbarë botën i kushtohet rolit, kontributit dhe përpjekjeve të grave për barazi dhe dinjitet në shoqëri. Kjo ditë sjell në vëmendje rrugëtimin e gjatë të grave drejt fitimit të të drejtave themelore dhe pjesëmarrjes së barabartë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike. Megjithatë, 8 Marsi nuk përfaqëson vetëm simbolikë festive, por për shumkë edhe moment proteste për sfidat me të cilat gratë vazhdojnë të përballen çdo ditë, shkruan Portalb.mk.

Dijana Toska gazetare dhe producente, për Portalb.mk tha se 8 Marsi nuk është festë për lule e fjalë të zbrazëta, por kujtesë për guximin, sakrificën dhe dinjitetin e grave që ndryshuan historinë.

“Për mua, 8 Marsi është kujtesë, jo festë. Nuk është ditë për buqeta të lehta, për fjalë të zbrazëta, as për dhurata që treten brenda ditës. Është ditë që kërkon ndalesë, reflektim dhe respekt. Është kujtesë për gratë që luftuan e vuajtën, por nuk u dorëzuan. Për ato që ngritën zërin edhe kur askush nuk i dëgjoi; për ato që qëndruan në hije, duke ndërtuar familje, komunitete dhe kombe. Secila prej tyre ka lënë gjurmë të pashlyeshme, një trashëgimi që flet pa zhurmë, por me peshë. Përgjegjësia jonë është ta mbajmë gjallë këtë kujtesë: Të mos harrojmë historinë, por të nderojmë jetën, guximin dhe sakrificat. Sepse nuk ka festë pa drejtësi, e as buqeta lulesh pa kuptim”, tha Toska.

Ajo shtoi se 8 Marsi nuk është një ditë që mbaron, por një dritë që ecën me ne, për t’i kujtuar botës se pa gruan nuk ecën as koha, as drejtësia, as vetë jeta.

Nga Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollekuqja” bëjnë të ditur se 8 Marsi nuk është festë për sa kohë që gratë vazhdojnë të dhunohen dhe lihen të pambrojtura.

“Ky 8 Mars na gjen në një realitet ku shumë gra ende përballen me dhunë fizike, psikologjike dhe ekonomike, ndërsa institucionet vazhdojnë të dështojnë t’i mbrojnë ato në mënyrë efektive. Çdo rast i dhunës ndaj grave që mbetet i pandëshkuar është dëshmi e një sistemi që nuk funksionon si duhet. 8 Marsi nuk është vetëm ditë simbolike, por kujtesë se barazia dhe siguria për gratë nuk mund të arrihen pa përgjegjësi institucionale dhe drejtësi për viktimat. Derisa dhuna vazhdon dhe institucionet heshtin, kjo ditë te ne është protestë se sa festë”, thonë nga “Mollekuqja“.

8 Marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Gruas, rrënjët e kësaj dite lidhen me protestat e grave punëtore në fillim të shekullit XX për kushte më të mira pune dhe të drejta politike. Më vonë, në vitin 1975, edhe Kombet e Bashkuara e njohën zyrtarisht këtë ditë. Sot kjo ditë shënohet me aktivitete, diskutime dhe protesta që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për sfidat dhe diskriminimin që gratë ende përballen në shumë vende të botës.