15-vjeçari që u bë doktor shkencash i fizikës kuantike tani synon “krijimin e super-njerëzve”
Një fëmijë gjeni 15-vjeçar në Belgjikë ka fituar titullin Doktor i Shkencave (PhD) në lëndën e fizikës kuantike, duke siguruar vendin e tij si një nga mbajtësit më të rinj doktoraturës ndonjëherë, dhe qëllimi i tij tani është të zhbllokojë pavdekësinë njerëzore përmes kërkimit mjekësor, shkruan Science Alert, transmeton Portalb.mk.
Laurent Simons mbrojti me sukses disertacionin e tij të doktoraturës në Universitetin e Antwerpenit (Antwerp).
Laurent, i lindur në Belgjikë, por që tani jeton në Holandë, u konsiderua një “fëmijë gjeni” që në moshë të re. Ai përfundoi shkollën e mesme për gatise një vit në moshën vetëm tetë vjeçare në vitin 2018, njofton Reuters.
Në vitin 2019, ai pothuajse vendosi një rekord për fitimin e një diplome universitare para se të mbushte 10 vjeç, por ai u largua nga programi i Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Teknologjisë Eindhoven për shkak të konflikteve në orarin e diplomimit. Në vend të kësaj, Laurent kaloi në një program Bachelor në Fizikë në Universitetin e Antwerpenit dhe u diplomua me lavdata pas vetëm 18 muajsh, dukshëm më shpejt se tre vjetët e zakonshëm.
Në moshën 12-vjeçare, ndërsa bashkëmoshatarët e tij zakonisht ishin në shkollë të mesme, Laurent mori diplomën Master në Fizikën Kuantike. Studentëve me kohë të plotë normalisht u duhen dy vjet, por ai i përfundoi të gjitha kurset në semestrin e parë, duke i kushtuar semestrin e dytë tezës dhe praktikës, shkruan The Brussels Times.
Ai kreu një praktikë në optikën kuantike në Institutin Max Planck në Gjermani, ku filloi të eksploronte bashkëveprimin midis fizikës dhe mjekësisë. Kërkimi i tij i Masterit thelloi posaçërisht analogjinë midis gjendjeve të ‘bosoneve’ dhe vrimave të zeza, duke studiuar kondensatet ‘Bose–Einstein’ në temperatura ultra të ftohta.
Pasi fitoi gradën Master, Simons vazhdoi të ndjekë doktoraturën, duke ndjerë se nuk i kishte arritur ende limitet e tij personale.
Ai i tha kanalit televiziv VTM: “Pas kësaj, do të filloj të punoj drejt qëllimit tim: krijimin e super-njerëzve.”
Sipas Newsweek dhe The Brussels Times, Simons e ka bërë të qartë se ka qenë i interesuar për studimin e pavdekësisë njerëzore që në moshën 11-vjeçare, kur e quajti atë “qëllimin e tij përfundimtar”.
Simons ka koeficientin e inteligjencës (IQ) prej 145, e klasifikuar si “shumë i talentuar” sipas shkallëve Wechsler dhe Stanford–Binet.
Menjëherë pas mbrojtjes së PhD-së së tij, ai u kthye në Mynih me babanë e tij. Ai tashmë është regjistruar në një program të dytë doktorature atje, këtë herë në shkenca mjekësore, i specializuar në inteligjencën artificiale.