Ibraimi: Viti 2030 për anëtarësimin e RMV-së në BE nuk është real, janë bërë shumë pak reforma

Maqedonia e Veriut ka bërë mjaft pak reforma për të hyrë në Bashkimin Evropian, ndërkaq viti 2030-të i cili nga qeveritarët është theksuar si afat kur vendi do të duhej të anëtarësohej në BE është joreale. Ka zëra që thonë se qeveritarët e RMV-së më shumë i duan paratë e BE-së se sa ligjet e tyre. Këtë mes tjerash e thotë një inervistë për Portalb.mk Selim Ibraimi, ekspert i politikës ndërkombëtare, autor dhe gazetar, me fokus në gjeopolitikën dhe çështjet e sigurisë së Evropës dhe Ballkanit.

Me Ibraimin, flasim edhe për çështjet e Ukrainës, Gazës, Veriut të Kosovës dhe Bosnjës, por edhe për ndikimin rus në Ballkan.

Intervistoi: Suad Bajrami

Si e shihni epilogun e luftës në Ukrainë dhe Gaza?

Selim Ibraimi: Lufta në Ukrainë dhe në Gaza kanë një sfond të përbashkët historik, dhe me dallime, andaj është e vështirë që të vlerësohet se kur do të mund të përfundojnë si konflikte. Nuk pres që në Ukrainë të ketë ndërpreje të luftimeve, pasi Kievi zyrtarë po bën përpjeke të mëdha ndërkombëtare bashkë me aleatët për të mbështetur kërkesën për më shumë armatime të të gjitha llojeve. Në anën tjetër, kemi Rusinë e cila pavarësisht humbjeve vazhdon të sulmojë Ukrainën. Si për Rusinë dhe poashtu për Ukrainën, vazhdimi i luftës paraqet çështje të sigurisë kommbëtare dhe të ekzistencës. Pavarësisht raporteve të shteteve evropiane me Ukrainën dhe me SHBA-në, aty kah fundi i 2024-ës dhe fillimi i 2025-ës mund të shohim lëvizje për zgjidhje të konfliktit, e cila nuk do të jetë e lehtë për të dyja shtetet. Në rast të një ndërhyrje evropiane me trupa ushtarake në Ukrainë, atëherë lufta do të zgjatet, dhe me pasoja për vetë evropianët. Ndërsa lufta në mes Izraelit dhe forcave të Hamasit duhet shfrytëzuar për një zgjidhje afatgjate, dhe ajo është krijimi i shtetit palestinez ashtu është duke bërë thirrje SHBA dhe aktorët tjerë si zgjidhje afatgjate në mes dy popujve. Vazhdimi i luftës siç shihet do të rrisë numrin e viktimave duke e shndërruar rajonin e Lindjes së Mesme në një gjendje të pashpresë. Gjasat janë që konflikti të parandalohet poqese palët do të jenë të interesuara për paqe.

Sa janë realiste zërat për një luftë ballkanike, duke e pasur parasysh çështjen e Veriut të Kosovës dhe Bosnjës?

Selim Ibraimi: Ballkani çdoherë ka qenë “tenxherja e nxehtë” për forcat brendshme dhe lojtarët e huaj, andaj Kosova dhe Bosnja janë shfrytëzuar nga forcat radikale dhe Serbia për kërcënime të reja me potencial mesatar të destabilitet të rajonit. Mbetet të shihet nëse deklarata e fundit e presidentit të Serbisë Alekasandër Vuçi do të jetësohet me një sulm ushtarak të papritur ndaj Kosovës. Ekziston rreziku për sulme të shpejta nga forcat ushtarake dhe speciale serbe si në Bosnjë dhe Kosovë. Këto mbeten kërcënime të përhershme për Kosovën dhe Bosnjën, pa përjashtuar këtu dezinformimin rus dhe rolin e shtypit serb. Zgjidhjen duhet parë në përgatitje të reja ushtarake, në rritjen e gatishmërisë së organeve të sigurisë dhe popullatës për kërcënimet e papritura. gjithashtu një rol më të drejtpërdrejtë duhet të luajnë forcat ndërkombëtare të vendosura në Kosovë dhe në Bosnjë. Dhe padyshim duhet që SHBA dhe BE të marrin veprime më të ashpra ndaj të gjithë aktorëve të interesuar për tensione të reja. Se a do ta bëjnë këtë mbetet të shihet gjatë 2024-ës.

Si e shihni procesin integrues të Maqedonisë së Veriut për në BE, a është real viti i integrimit 2030?

Selim Ibraimi: Realisht është vështirë që Maqedonia e Veriut dhe të tjerët të anëtarësohen në BE në 2030, por situata e re në Evropë ka gjasa që BE-ja të tregohet më e butë dhe të hapë dyert për Shkupin. Megjithatë kjo do të varret nga vendosmëria dhe përpjekjet e qeverisë në Shkup për t’i zbatuar reformat. Për tre dekada MV-ja ka bërë shumë pak për të hyrë në BE, andaj vetëm gjendja ndërkombëtare po shkon në favor të anëtarësimit të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në BE. Nëse ky moment do të shfrytëzohet nga Shkupi zyrtar, atëherë do të ishte vendimi më i mirë që nga 1991.

A janë të mjaftueshme reformat për integrimin e vendit në BE, apo megjithatë duhet të mbisundojë vullneti i vendeve të BE-së?

Selim Ibraimi: Siç nënvizova më lartë, të gjitha qeveritë kanë bërë shumë pak rreth hyrjes në BE, pasi këtë e dëshmojnë raportet serioze ndërkombëtare, ku me vite theksohen të njëjtat probleme. Ndërsa qeveria dhe organet e drejtësisë kanë vazhduar me sjellje e vendime të njëjta. Zbatimi i reformave shkon në favor të Maqedonisë së Veriut. Ka mendime se qeveritarët në Shkup janë të interesuar më shumë për ndihmat dhe mjetet financiare të BE-së se sa për ligjet e BE-së që duhet të harmonizohen dhe të praktikohen. Në përgjithësi ka një vullnet, dhe kjo shihet nga ndihma në 6 milirad euro. Shpresohet që shtetet e rajonit të mbajnë kursin evropian, duke dhënë shembuj konkret për në BE.

Si e shihni ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut, sidomos gjatë kësaj periudhe zgjedhore?

Selim Ibraimi: Ndikimi rus në Ballkan ka valë të ndryshme, dhe ka qëllime të ndryshme në shtetet e Ballkanit. Po ashtu duhet ndryshuar metoda e studimit të ndikimit ruso-serb. Brenda kornizës kohore, ndikimi rus ka ulje-ngritje, pasi varet nga ngjarjet kritike në rajon ose në veçanti në Maqedoninë e Veriut, p.sh. kur zhvillohet diçka thelbësore për vendin, ndikimi (dezinformimi) rritet veçanërisht në tabloidet maqedonase me orentim pro rus- në internet, duke u gërshetuar me propagandë nga pala serbe. Në javët në vijim, vala e ndikimit mund të përqëndrohet te rritja e urrejtjes ndëretnike në mediat online. Kur flasim për ndikimin rus në 2024, duhet të kemi parasysh se propaganda shtetërore ruse me përfaqësuesit e saj në Ballkan, është përmirësuar dhe përmirësuar mjaft mirë për shkak të teknikave e metodave të larta që i përdorin. Aktualisht, Rusia ia del mirë me inteligjencën njerëzore, dhe analizën e sinjalit informativ që mund të ketë ndikim në Ballkan në zgjedhje e në raste të veçanta. Duhet të rritet kujdesi para fushatës dhe pas, por do të jetë e vështirë të ndalohet në tërësi dezinformimi, sepse është projektuar nga pala kundërshtare për rajonin dhe veçoritë e popullatës.