Zjarr në një qendër rehabilitimi në Iran, humbën jetën 32 persona

Të paktën 32 persona humbën jetën në zjarrin që shpërtheu në një qendër rehabilitimi në qytetin Lengerud në veri të Iranit, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA, në orët e mëngjesit shpërtheu një zjarr në qendrën e rehabilitimit në Lengerud, të provincës Gilan në bregun e Detit Kaspik.

Nga zjarri i rënë në qendrën e rehabilitimit, e cila thuhet se drejtohet nga sektori privat, kanë humbur jetën 32 persona ndërsa janë plagosur 16 të tjerë, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Autoritetet thanë se nuk dihet shkaku i zjarrit ndërsa hetimet për incidentin kanë filluar.