Zinete Selimaj Çela: Gjatë hedhjes me parashutë shënuam kthesë në mentalitetin kundër grave, vajzat kanë qenë dhe janë të guximshme aq sa burrat

Intervistën e parë për vitin 2025 në Portalb.mk ia kemi kushtuar Zinete Selimaj Çela, njëra nga ish studentet e para ushtarake të “Fakultetit Gjitharmësh” të Akademisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Shqipërisë (ish Komandantja e Togës dhe zëvendëskomandatja e Kompanisë të Kursit të vajzave). Ish Ushtarake e lartë e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Zonja Çela foli me nostalgji për momentet e para të hedhjes me parashutë, rrugëtimin e saj si dhe arritjet në këtë profesion.

Portalb.mk: Keni qenë nder vajzat e para në historinë e Forcave të Armatosura ku kryet edhe hedhjen me parashutë, na tregoni pak për këtë rrugëtim tuajin, cilat ishin ndjesitë atë botë, ç’të shtyu ta provoje?

Zinete Selimaj Çela: Po është e vërtetë, që jam hedhur me parashutë, por jo rastësisht. Së pari dua të falënderoj për këtë intervistë, nëpërmjet të cilës lexuesit e Portalb.mk do të njihen nga afër me këtë “Akt Heroik” të studenteve të para ushtarake të Akademistë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që mbetet në histori si një rast unik, i veçantë dhe i papërsëritshëm në historinë e Forcave të Armatosura.

Sigurisht akte të tilla shprehin virtytet më të larta njerëzore, por kur bëhet fjalë për “akt heroik”në shërbim të atdheut, të kryer nga studentet ushtarake të Akademisë Ushtarake të FA, të asaj epoke historike, për mendimin tim do të thotë se “Forca e vajzave” shënoi fundin e “të qenit e dobët” theu çdo tabu e paragjykim të atëhershëm dhe hapi një perspektivë të re, në rrugëtimin e saj drejt majave të karrierës gjithëpërfshirëse dhe integrimit shoqëror.

Ka qenë viti 1972, kur unë bashkë me 17 vajza të tjera të ardhura me dëshirë e vullnet nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, që kemi filluar studimet e larta ushtarake, pranë Akademisë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, e cila për hir të vërtetës në shtator të atij viti, u kthye në Universitet Ushtarak (me sistem 4 vjeçar) dhe ne e qindra djem të tjerë nga e gjithë Shqipëria, ishim studentët e parë që mbushëm auditorët e këtij Universiteti, për tu përgatitur si oficerët e ardhshëm të FA, që do të shërbenim ku të kishte nevojë atdheu.

Fotografi nga arkivi personal i Zinete Selimaj Çela, pas hedhjes me parashutë, së bashku me shefin e parashutizmit. Emrat e vajzave në foto sipas radhës së vendosjes. Zinete Çela Selimaj e para posht djathtas, Trendafile Xhebraj mbi krye, Lefteri Marini majtas Myrsete Dramalli, Ilirjana Hyseni, Jolanda Salati, Ermira Çaushi në këmbë majtas, Kostanca Bregu në të djathtë, Tatjana Ramadani, Bujare Abazi, Shefi i Parashutizmit -Shaban Dani, Tanja Dedja, Tatjana Korroveshi, Myzejen Tahiri, Zoica Shani. Foto: Zinete Selimaj Çela
Fotografi nga arkivi personal i Zinete Selimaj Çela, pas hedhjes me parashutë, së bashku me shefin e parashutizmit. Emrat e vajzave në foto sipas radhës së vendosjes. Zinete Selimaj Çela e para posht djathtas, Trendafile Xhebraj mbi krye, Lefteri Marini majtas Myrsete Dramalli, Ilirjana Hyseni, Jolanda Salati, Ermira Çaushi në këmbë majtas, Kostanca Bregu në të djathtë, Tatjana Ramadani, Bujare Abazi, Shefi i Parashutizmit -Shaban Dani, Tanja Dedja, Tatjana Korroveshi, Myzejen Tahiri, Zoica Shani. Foto: Zinete Selimaj Çela

Duhet theksuar se në atë kohë zhvillimi ekonomiko-shoqëror dhe emancipimi i shoqërisë kishte marrë përparësi gjithëpërfshirëse në mbarë vendin. Kjo ishte prioritet i politikës së kohës, prandaj dhe vajzat e gratë ishin integruar dhe bërë pjesë aktive në të gjithë zhvillimin e vendit, përfshirë këtu dhe pjesëmarrjen e saj në FA.

Të veshësh uniformën ushtarake është privilegj por dhe përgjegjësi e madhe pasi kërkon punë, përkushtim dhe sakrifica në emër të jetës, prandaj jo kushdo mund të bëhet ushtarak. Por kur vendos të bëhesh pjesë e uniformës dhe të shërbesh në FA, do të thotë të marësh përsipër një mision historik dhe kushtetues, në shërbim të kombit dhe mbrojtjes së atdheut. E pikërisht për këtë përkushtim patriotik, ushtarakët, gëzojnë respektin dhe nderimin e të gjithë bashkëkombësve të tyre.

Këtë mision e kryem edhe ne ish 18 studentet e para ushtarake, e mandej ish oficeret e karrierës së FA, të cilat me veshjen e uniformës dhe bërjen e betimit ushtarak, më 28 Nëntor 1972, hapëm një kapitull të ri, e thyem çdo tabu e paragjykim antifemëror, duke i treguar mbarë efektivit ushtarak të Akademisë Ushtarake të FA dhe udhëheqjes së MM e më gjerë, për ambiciet që kishim në rrugëtimin tonë si ushtaraket e ardhshme të FA.

Kjo vendosmëri tregoi se edhe pse ishim 19-20 vjeçe, ne “ishim rritur e pjekur para kohe” duke u treguar të gjithëve me vendosmëri se; “nuk ishim aty rastësisht se kështu e donte politika, por ishim aty si studente ushtarake dinjitoze e kryelarta, me ambicie për të ardhmen, që të bëheshim oficere të zonja të pa nëpërkëmbura për shkak të gjinisë, por të zonja dhe të afta që të ishim në frontin më të vështirë të drejtimit dhe stërvitje ushtarake përkrah kolegëve tanë e të pa para gjykuara, por të denja dhe të afta, ashtu sikurse e kërkonte detyra për mbrojtjen e atdheut me profesionalizëm, guxim, trimëri, kurajo, forcë e deri në sakrifica sublime.

Të rreshtuara para hedhjes me parashutë, me shefin e parashutizmit Shaban Dani. Foto: Zinete Selimaj Çela
Të rreshtuara para hedhjes me parashutë, me shefin e parashutizmit Shaban Dani. Foto: Zinete Selimaj Çela

Unë, personalisht, që në fillim dhe deri sa përfundova studimet ushtarake, pata fatin të jem Komandante e Togës dhe Zëvendëskomandante e Kompanisë së Kursit të Vajzave. Ndërsa pas përfundimit të Akademisë Ushtarake më 31.05.1976, jam emëruar direkt në MM, ku vazhdova aty për gati 36 vjet, deri sa dola në pension pleqërie.

Por e them me krenari dhe bindje të plotë se Toga jonë, ka qenë “model” i shembullit pararojë në Akademi, ndërsa ajo që kulmoi e mbeti në historinë e FA dhe frymëzim për brezat, ishte “Akti heroik i hedhjes tonë me parashutë me 28 qershor 1973”, kur ishim vetëm 19-20 vjeçe.

Të frymëzuara nga revistat ushtarake kineze të kohës, të cilat pasqyronin veprimtari nga stërvitja dhe jeta ushtarake e ushtrisë kineze, ku tregonin dhe pamje nga pilotimi dhe hedhja me parashutë e vajzave ushtarake kineze, lindi ideja apo shkëndija jonë e parë, si mund të themi që; “Pse jo, edhe ne jemi të afta dhe i kemi të gjitha mundësitë që të bëheshim pilote apo dhe të hidheshim dhe me parashutë, si ato”. Diskutonim me njëra-tjetrën e thoshim; E po çfarë kanë ato më shumë se ne! Asgjë! Ne jemi edhe më të forta se ato e të tjera e të tjera ëndrra e dëshirash muhabeti.

Por si e qysh do të ja bënim hallit që na vlonte përbrenda, kishim kohë që e mendonim, prandaj në Konferencën e Rinisë së Akademisë Ushtarake që u zhvillua në mesin e muajit dhjetor 1972, vendosëm të shpallim iniciativën tonë që; “Të hidheshim me parashutë ashtu sikurse edhe djemtë”. E kështu më në fund ja bëmë bammm, e thamë atë që kishim në momentin e duhur e me zgjuarsi.

Në auditor, gjatë orarit të studimit. Foto: Zinete Selimaj Çela
Në auditor, gjatë orarit të studimit. Foto: Zinete Selimaj Çela

Por kjo iniciativë i shtangu dhe i la pa fjalë, të gjithë pjesëmarrësit e konferencës përfshi këtu edhe vetë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Petrit Dumen (i cili ishte i ftuar në atë Konferencë si titullari i FA), që ashtu sikurse edhe të tjerët, mblodhi menjëherë supet dhe shikonte i habitur për rreth, për atë që po i dëgjonin veshët.

Do kalonte disa ditë heshtje dhe hezitimi për tu thyer heshtja e titullarëve të Akademisë Ushtarake dhe e vetë MM, të cilët më në fund kishin pranuar sfidën e shpallur, duke u “ gjunjëzuar” përpara këmbënguljes dhe vendosmërisë tonë për të realizuar atë që shprehëm publikisht, që “të hidheshim me parashutë”

Ne triumfuam me guxim e kurajo të jashtëzakonshëm, duke thyer çdo tabu e sfiduar çdo paragjykim e mentalit anti femëror. Kjo ishte fitorja e parë e betejës, ishte dhënë miratimi nga MM, që ne do të hidheshim me parashutë dhe pas festave të fund-vitit 1972, në janar 1973 do të fillonte përgatitja për kurorëzimin me sukses të hedhjes tonë me 28 qershor 1973, në kuadrin e 30 vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të FA.

Portalb.mk: Gjithashtu keni qenë ndër të paktat studente të para ushtarake, sa ka qenë e vështirë atë kohë për ty, familjen tënde dhe rrethin të merrje një hap aq të guximshëm për atë periudhë?

Zinete Selimaj Çela: Personalisht unë rrjedh nga një familje me vlera e kontribut patriotik. Kam pjesëtarë të familjes dhe të afërm që kanë kontribuar në shërbim të mbrojtjes dhe çlirimit të atdheut që nga Shpallja e Pavarësisë e deri në Çlirimin e Atdheut më 29 Nëntor 1944. Gjyshi im ka marrë pjesë në Luftën e Vlorës më 1920-tën, kam dy dëshmorë të atdheut, dajën tim dhe xhaxhanë e tim ati. Babai im ka qenë partizan i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare i inkuadruar në Brigadën e 7-të Sulmuese e cila i vazhdoi luftimet përtej Shqipërisë deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Pas çlirimit ai ka qenë oficer aktiv i FA, dhe pas lirimit nga ushtria, ka shërbyer si nëpunës i shtetit, ndërsa unë kam qenë një vajzë e emancipuar dhe aktiviste e rinisë, e zgjedhur në të gjitha forumet drejtuese të rrethit Berat, deri sa fillova studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.

Gjithë kjo trashëgimi vlerash me të cilat u rrita e jam edukuar e formuar që e vogël, për mua ka qenë mbështetje inkurajuese dhe support për të ecur gjithmonë përpara me guxim e kurajo që në krye të herës. Përgjatë karierës time një mbështetje e fuqishme ka qenë dhe bashkëshorti im, ushtarak i FA.

Toga e vajzave në krye Zinete Selimaj Çela studente, Komandante e Togës dhe Zv.Komandante e kompanisë së vajzave Foto: Zinete Selimaj Çela
Toga e vajzave në krye Zinete Selimaj Çela studente, Komandante e Togës dhe Zv.Komandante e kompanisë së vajzave Foto: Zinete Selimaj Çela

Portalb.mk: Me siguri që keni pasur shumë paragjykime, na flit pak për to, si e tejkalove, ç’moment kujton sot që të ka lënë atë kohë ndoshta shije të hidhur?

Zinete Selimaj Çela: Përkundrazi, unë s’kam pasur asnjë paragjykim, por vendosmëri e kurajo, që sot i kujtoj me nostalgji dhe emocion. Unë kam qenë një studente dinjitoze dhe e formuar mire, që më përpara se të vija si studente në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, prandaj asnjëherë s’kam pasur komplekse dhe paragjykime për asnjë problem, por përkundrazi kam qenë e hapur dhe kurajoze ashtu sikurse dhe studentet e tjera të togës, me të cilat kemi qenë të gjitha në unison për atë guxim të jashtëzakonshëm që morëm, për të kryer atë “Akt heroik” i cili për atë kohë ishte i paimagjinueshëm, ndërsa për ne s’ishte gjë tjetër, veçse një ambicie për të qenë të barabarta me djemtë, dhe sfiduese me paragjykimet ndaj vajzave.

Por të them të drejtën pyetja juaj në retorikën e zakonshme, është shumë e drejtë, për të ditur kapërcimin e vështirësive tona, por si e kemi përjetuar dhe përcjellë ne, në atë kohë, është e kundërta, prandaj emocionet më çojnë në retrospektivën e asaj kohe, që bëmë epokë të papërsëritëshme në historinë e Forcave të Armatosura, prandaj dua ta ndaj me lexuesin tuaj atë “Akt Heroik” të papërsëritshëm, për të cilin besoj se jemi krenarë të gjithë, se ato pasurojnë virtytet e kombit tonë heroik.

Përfaqësuesit e MM të Komandës së Akademisë, Ekipi i Pilotëve, Mjekët e SQUTe të tjerë bashk me togën time që u hodhëm me parashutë duke festuar “Aktin Heroik” e pa përsëritshëm. Foto: Zinete Selimaj Çela
Përfaqësuesit e MM të Komandës së Akademisë, Ekipi i Pilotëve, Mjekët e SQUT e të tjerë bashkë me togën time që u hodhëm me parashutë duke festuar “Aktin Heroik” e pa përsëritshëm. Foto: Zinete Selimaj Çela

Në janar të vitit 1973 pasi ishte marrë vendimi për hedhjen tonë me parashutë, i’u nënshtruam ekzaminimit mjekësor sipas parametrave të pilotëve në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Pas këtij procesi, filluam menjëherë përgatitjen profesionale, pranë Repartit të Aviacionit, ku vazhduam në mënyrë intensive deri më 28 qershor 1973, datë e cila bëmë hedhjen me parashutë në fushën e Aviacionit, sot Aeroporti “Nën Tereza” në Tiranë.

Atë ditë pasi kryem veprimet e mëngjesit, në orën 8:00 hipëm në makinën tonë të transportit me të cilën bënim stërvitjen sipas programit mësimor në terren dhe të shoqëruar nga përfaqësuesit e Komandës së Akademisë u nisëm drejt Repartit të Aviacionit, atje ku ishim përgatitur dhe stërvitur prej 6 muajsh rresht, ku një ditë më parë, secila prej nesh kishte përgatitur vetë palosjen e parashutës me të cilën do të hidhej të nesërmen.

Gjithashtu po disa ditë më parë u bë kontroll mjekësor, nga ku rezultoi se tre vajza kishin probleme shëndetësore, prandaj u përjashtuan nga hedhja me parashutë. Kështu që ngelëm 15 vajza. Një ditë më parë u përcaktuan avionët që do të fluturonim dhe vendet ku do të qëndronim sipas gjatësisë dhe peshës, elemente këto të domosdoshme për rregullat e hedhjes me parashutë. Pra gjithçka u parapërgaditt një ditë më parë dhe dy avionët AM-2 u bënë gati për fluturim.

Zbritëm nga makina në orën 08.30. Veshëm xhubat prej lëkure të përshtatshme për hedhje, vendosëm shllamafonin në kokë dhe parashutat në gjoks dhe shpinë të cilat i kishim përgatitur një ditë më parë. Përpara hipjes në avionin e nisjes për fluturim, përsëri na bënë kontroll mjeksor, për pulsin dhe rrahjet kardiake. E kur mjekët dhanë miratimin se gjithçka ishte në rregull dhe s’kishte asnjë problem, unë si Komandante e togës dhashë komandën: “Në një rresht mblidhuni”.

Pas kryerjes së kontrollit përfundimtar nga shefi i parashutizmit njëherit dhe instruktori i përgatitjes tonë, oficer Shaban Dani, i cili na pa me hollësi vendosjen e parashutave në shpin dhe përpara në gjoks tha okej për hipjen në avion.

Përsëri sipas komandës së dhënë nga ana ime “drejt avionëve për fluturim”, të gjitha vajzat hipën në vendet e tyre, të përcaktuara një ditë më parë.

Sapo u mbyll dera e avionit te piloti, filloi të lëvizë drejt pistës për fluturim, ne ja morëm këngës “Tundu bejke bardhë tundu”. Brenda në avion, përveç ekuipazhit të pilotëve dhe një përfaqësues i Komandës së Aviacionit, na shoqëronte dhe një fotoreporter i TV Shqiptar i cili për hir të vërtetës, u habit kur ne ja morëm këngës, e me shaka u tha ekipit të pilotëve :

“Ore ça po bëhet këtu, këto ja morën këngës, o vëlla. Një zot e di se me ç’far guximi, kurajo e trimërije qenkan këto. Më fusni mua një të lidhur këtu te avioni se do të më marrin me vete këto, E ku të vete unë i ziu, s’kam as parashutë”.

Jo, jo ja kthyen pilotët, mos ki merak ti mbaje mirë aparatin dhe xhiroi mirë vajzat ti, se do të kërkojnë llogari këto, kur të zbresin në tokë.

E ndërsa kënga buçiste nga ana e jonë dhe shakatë e reporterit me pilotët mbaruan, avioni u shkëput nga pista drejt kaltërsisë së qiellit. Për pak sekonda lartësia pothuajse arriti 900m. Pasi u bënë dy rrotullime në hapsirën e fushës së aviacionit e u morr drejtimi i duhur, mbi derën nga do të fluturonim u ndez drita e verdhë e cila tregonte sinjalin e gatishmërisë për hedhje.

Me tu hapur dera, hidhu Tanjë, buçitëm ne, se ajo ishte e para gati te dera.

Tanja fluturoi dhe pas saj për shumë pak sekonda, ne ishim hedhur të gjitha në ajër, si shqiponjat e malit, duke i lënë pa fjalë ekipin e pilotëve dhe reporterin, ndërsa të gjithë ata që kishin dalë që të na prisnin në fushën e aviacionit, e që kishin përjetuar një ankth të jashtëzakonshëm deri në momentin e hedhjes tonë e hapjes së parashutave në lartësinë mbi 850 m, kishin filluar të çliroheshin nga emocionet dhe të festonin për këtë sukses dhe arritje të jashtëzakonshme që kishte ndodhur për herë të parë në historinë e FA për të cilën unë u përpoqa ta sjell përpara jush me shumë dashuri e të përmbledhur.

Fotografi pas hedhjes me parashutë. Foto: Zinete Selimaj Çela
Fotografi pas hedhjes me parashutë. Foto: Zinete Selimaj Çela

Portalb.mk: Cilat janë ndjesitë dhe përvoja e hedhjes me parashutë ?

Zinete Selimaj Çela: Hedhja me parashutë është një përvojë e jashtëzakonshme që kërkoi guxim, trimëri, kurajo, inteligjencë e profesionalizëm të veçantë, prandaj dhe ndjesitë dhe emocionet janë të forta dhe shumëdimensionale, sidomos kur i përcjellim tani në këtë moshë te pasardhësit tanë, si një përvojë të paimagjinueshme për kohën, në të cilën shënuam një kthesë në themelet e mentalitetit antifemëror e të tabusë së hekurt që ekzistonte për pjesëmarrjen e vajzave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, e veçanërisht për integrimin gjithëpërfshirës në ushtri, ndërsa sot është krejt ndryshe.

Vlerësimi e nderimi i këtij “Akti Heroik” nga MM, e ish Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe akordimi i “Medajles së Nderit” për secilën nga ne, me motivacionin; “Për trimëri, guxim dhe kontribut të spikatur, duke rrezikuar jetën përtej asaj çfarë kërkon detyra” dhe dhënia e “Medaljes së Mirënjohjes” Togës së studenteve të para të “Fakultetit Gjitharmësh”, të Akademisë së Forcave të Armatosura, të cilat janë hedhur për herë të parë me parashutë në historinë e krijimit të Forcave të Armatosura me motivacionin; “Për kontribut dhe vlera të veçanta në shërbim të lartësimit të figurës së ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” është një emocion i veçantë.

Aq më shumë, kur ky vlerësim e nderim vjen me rastin e kremtimit të 51 vjetorit të hedhjes tonë me parashutë mes efektivit ushtarak e civil në ambientet e Muzeut Historik të FA, pranë të cilit do të pasqyrohet edhe ky “Akt Heroik” si dëshmi e vlerave historike e FA, me të cilat do të njihen bashkëkombësit tanë.

Një grup studentesh pas hedhjes me parashutë. Foto: Zinete Selimaj Çela
Një grup studentesh pas hedhjes me parashutë. Foto: Zinete Selimaj Çela

Portalb.mk: Sot që kanë kaluar shumë vite që kur ju u futët në këtë fushë, si e shihni tani këtë profesion, sa vajzat dhe gratë kanë guxim, ishin atëherë më të guximshme apo sot, cilat janë dallimet?

Zinete Selimaj Çela: Nga koha jonë deri më sot kanë kaluar më se një gjysmë shekulli, prandaj dhe vështirësitë dhe privacionet e asaj kohe pothuajse nuk ekzistojnë. Sot vajzat dhe gratë janë të lira në zgjedhjet dhe ambiciet e tyre për karrierë. Vetëm vullnet të kenë.

Por një gjë duhet ta themi se: Ushtaraket e karrierës, janë rrjedhojë e traditës së guximit femëror e patriotik ndër shekuj dhe e pjekurisë intelektuale që kanë treguar, në çdo etapë të zhvillimit ekonomiko- shoqëror, për të ecur përpara me kurajo dhe përkushtim, përkrah kolegëve të tyre, si drejtuese të denja dhe specialiste të afta, pavarësisht paragjykimeve të shoqërisë e drejtuesve mediokër, duke sfiduar me zgjuarsi çdo qëndrim patriarkal të kohës, për të qëndruar kryelarta, të palëkundura dhe stoike në kryerjen e detyrës dhe të misionit që kanë marrë përsipër në shërbim të atdheut.

“Mbrojtja e Atdheut është detyrë mbi detyrat”. Në çdo kohë ato e kanë treguar veten dhe po e tregojnë se kanë qenë dhe janë të guximëshme po aq sa edhe burrat.

Përfaqësuesi i MM duke i takuar dhe përshëndetur vajzat pas zbritjes në tokë, në fushën e aviacionit. Foto: Zinete Selimaj Çela
Përfaqësuesi i MM duke i takuar dhe përshëndetur vajzat pas zbritjes në tokë, në fushën e aviacionit. Foto: Zinete Selimaj Çela

Portalb.mk: Si e shihni perceptimin që shoqëria shqiptare ka ndaj profesioneve dhe fushave që tradicionalisht janë dominuar nga burrat, por që ja ka gra të guximshme si ju të cilat i kanë sfiduar këto?

Zinete Selimaj Çela: Gratë e emancipuara të cilat kanë investuar për shkollimin dhe formimin e tyre sipas kërkesave të kohës dhe vetë shoqërisë, gjithmonë janë respektuar, mbështetur dhe vlerësuar për atë që janë dhe për atë që bëjnë në shërbim të shoqërisë vendit dhe kombit të tyre. Rastet janë të shumta, sukseset e tyre janë të panumërta, pse jo dhe “dominancë” në të gjitha sferat e zhvillimit ekonomiko-shoqëror e politik të shoqërisë.

Portalb.mk: Një grua me kaq guxim, sigurisht që ka një porosi për vajzat dhe gratë e tjera të cilat marrin shëmbull. Cila është porosia juaj për të gjitha vajzat e reja dhe gratë?

Zinete Selimaj Çela: Mesazhi im për vajzat dhe gratë e reja është i thjeshtë. Të dashura vajza e gra, zoti na ka bekuar për gjininë që kemi, si forca e gjenerimit njerëzor, ndërsa ne, në radhë të parë duhet të respektojmë veten tonë për të na respektuar të tjerët. Ky respekt fitohet kur arsimohesh e kualifikohesh në vazhdimësi, kur zotëron aftësi profesionale sfiduese për të kryer çdo detyrë me ndershmëri, guxim dhe kurajo.

Fotografi në 50 vjetorin e hedhjes me parashutë në Akademinë Ushtarake të FA, Selimaj veçohet me sheshir në kokë. Foto: Zinete Selimaj Çela
Fotografi në 50 vjetorin e hedhjes me parashutë në Akademinë Ushtarake të FA, Selimaj veçohet me sheshir në kokë. Foto: Zinete Selimaj Çela