Zi e më zi në këtë Maqedoni (të Veriut)

Koment nga gazetari Fisnik Xhelili

Maqedonia e Veriut veç më ka hyrë në një fazë të re (vjetër) politike dhe dita ditës po shkohet prapa në vend se të ecet para…

Në hall punët me kojshitë

Marrëdhëniet e prishura me Greqinë për çështjen e emrit që më në fund “u rregulluan” para disa viteve, shpërthyen përsëri me formimin e qeverisë së re në vend.

Me Bullgarinë ngjashëm, tensionet “vlojnë” dita ditës për ndryshimet kushtetuese të cilat mbajnë peng rrugën eurointegruese të vendit.

Ndonëse RMV-ja kishte marrëdhënie të mira me Kosovën dhe Shqipërinë, në vetëm pak muaj kanë ndodhur ngjarje të cilat kanë prekur marrëdhëniet me këto dy vende. Skandali me presidenten e Kosovës në aeroportin e Shkupit dhe çështja e gjuhës shqipe kanë bërë që këto dy vende t’ia “ngrehin veshin” Shkupit.

Nga pesë shtetet me të cilat kufizohet vendi, duket se për momentin (ar)miku më i mirë i vendit është Serbia, përndryshe aleati i Rusisë.

Flirtime me Hungarinë

Për të mos mjaftuar me kaq, vendi dita ditës po afrohet me Hungarinë, edhe kjo aleate e Rusisë dhe Serbisë, përndryshe ky është vendi i cili i dha azilin politik ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kredia prej gjysmë miliardi euro, operatori celular hungarez dhe së fundmi vizita zyrtare e kryeministrit hungarez Viktor Orban në vend janë tregues të qartë të përforcimit të marrëdhënieve dypalëshe me Hungarinë, e cila dita ditës po merr kritika nga BE-ja për afrimin me Rusinë dhe Kinën.

Rruga integruese në qorrsokak

Rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut u shkëput nga Shqipëria e cila në tetor do të hap kapitujt e parë të negociatave me BE-në. Ndonëse dy vendet filluan bisedimet qasëse në verën e vitit 2022, Shqipëria eci përpara kurse RMV-ja mbeti peng i dështimit të saj politik për t’i bërë detyrat e shtëpisë. Rrugëtimi i përbashkët në paketë me Shqipërinë sigurisht se do ishte më i thjeshtë për vendin, tani që rrugët u ndanë vendin e presin sfida të reja, për të cilat nuk shihet se ka vullnet politik për t’i zgjidhur.

Maqedonia e Veriut nuk e ka luksin të bëjë eksperimente të tilla me fqinjët dhe në fushën e politikës rajonale dhe me gjerë, sepse çdo veprim i tillë është në dëm të vendit, izolim të tijin dhe kthim prapa në kohë në atë pak progres që është bërë ndër vite.

Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.