Gjithsej 80 zhytës nga Maqedonia, Kroacia, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina pastruan ujërat e Liqenit të Ohrit këtë fundjavë, në një aksion të madh ekologjik për pastrimin e botës nënujore, të organizuar nga qendra e zhytjes “Amfora”, transmeton Portalb.mk.
Gjatë aksionit, me një vendndodhje qendrore në autokampin Gradishte, u hoq një sasi e madhe mbeturinash nga fundi i liqenit, kryesisht plastikë, kanaçe, por edhe goma makinash dhe mbeturina të tjera.
“Gjithsej 80 zhytës nga tetë klube në vend dhe nga një klub nga secili prej vendeve të rajonit morën pjesë në aksion, të bashkuar me një qëllim të përbashkët, mbrojtjen e një prej thesareve natyrore më të vjetra dhe më të vlefshme në Evropë, i cili edhe një herë dërgoi një mesazh të fortë për rëndësinë e ndërgjegjësimit mjedisor, mbrojtjes së natyrës dhe bashkëpunimit rajonal”, informojnë organizatorët.