Zgjidhje lokale, vlera evropiane: U mbajt panairi i parë BE-RMV për zhvillim të qëndrueshëm lokal

Në organizim të Programit „BE për komunat“, të financuar nga Bashkimi Evropian, në Shkup është mbajtur Panairi i parë BE-MK për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe rrjetëzim. Ngjarja mblodhi së bashku komunat e Maqedonisë së Veriut dhe partnerët e tyre nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian me qëllim të shkëmbimit të praktikave të mira, prezantimit të zgjidhjeve inovative dhe inkurajimit të bashkëpunimeve të reja për zhvillim të qëndrueshëm në nivel lokal, transmeton Portalb.mk

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski theksoi se partneriteti midis qeverisë, komunave dhe delegacionit evropian është i rëndësisë thelbësore për integrimin e suksesshëm të vendit në Bashkimin Evropian, duke shtuar se integrimi në BE nuk është vetëm një qëllim politik, por edhe një proces i reformave të thella që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Nëpërmjet formimit të një Qendre të resurseve, do të jepet mbështetje shtesë për zhvillimin e vetëqeverisjeve lokale. Fokusi është vendosur në tre komponentë, mbështetjen e menaxhimit të projekteve, përforcimin e kapaciteteve administrative të komunave dhe përshpejtimin e transformimit digjital. Bashkëpunimi në kuadër të programeve të financuara nga BE, siç është “BE për komunat”, të cilat ofrojnë zgjidhje inovative për të përmirësuar shërbimet lokale dhe për të inkurajuar zhvillimin ekonomik lokal, është veçanërisht i rëndësishëm”, tha Perinski.

Nga ana e Delegacionit të BE-së në vend, menaxheri i programit Enco Damiani theksoi se integrimi në BE fillon pikërisht në nivel lokal. Ai nënvizoi se Programi „BE për komunat“ siguroi mbështetje për pothuajse të gjitha 81 komunat në vend, me rezultate konkrete në shumë fusha, duke përfshirë mobilitetin urban, digjitalizimin, efikasitetin energjetik dhe menaxhimin me mbeturinat.

“Me mbështetjen e ‘BE për komunat‘, u krijua një Organizatë për menaxhim me destinacionet (DMO) në rajonin e Vardarit, e cila tashmë ka bashkëpunim rajonal dhe ndërkufitar me komunat nga Greqia dhe Gjermania. Përveç kësaj, ekziston një shërbim i specializuar për mbështetje (Helpdesk) që deri më tani është përgjigjur në pothuajse 1,000 kërkesa të ndryshme nga komunat. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjitha komunat, institucionet dhe partnerët që kanë treguar se vlerat evropiane tashmë janë të pranishme në nivelin lokal në vend”, tha Damiani.

Panairi mblodhi së bashku përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, ministri, delegacione nga Gjermania dhe Greqia, si dhe organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë. Në tetë stenda ekspozitash, u prezantuan zgjidhje të bashkëfinancuara nga BE, si dhe praktika të mira për menaxhimin e destinacioneve, mobilitetin e qëndrueshëm dhe mbështetjen për komunat. Ngjarja shërbeu gjithashtu si një platformë për partneritete të reja, takime dypalëshe dhe shkëmbim përvojash midis aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë.