Zëvendëskryeministrja Grkovska me rezerva për ndryshimet e Kodit Penal

Zëvendëskryeministrja për Qeverisje të mirë, Sllavica Grkovska në kuadër të diskutimit publik për Propozim-Strategjinë për Transparencë të Qeverisë së RMV-së (2023-2026) sot deklaroi se që në seancën qeveritare kur është vendosur për ndryshimet e Kodit Penal, ajo ka shprehur rezerva, pasi që, siç theksoi ka qenë e vetëdijshme se do të ketë reagime në opinion për mënyrën se si nenet ligjore do të ndikojnë në rastet aktuale, njofton Portalb.mk.

Javën e kaluar në periudhë për vetëm disa orë, shpejtë u miratuan ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal në Kuvendin e Maqedonisë pa amendamente nga opozita, të cilat paraprakisht Qeveria e RMV-së i ka miratuar në seancë qeveritare në fund të muajit gusht, pa e informuar opinionin në kumtesat zyrtare që i dërgon deri te mediat.

Grkovska sot tha se në mënyrë të përgjithshme vijmë deri te çështja për efikasitetin e sistemit gjyqësor, pasi që me zgjidhjet e vjetra ne sillemi në situatë që disa raste të vjetërsohen, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikanë, biznesmenë të cilët kanë qenë dhe ende janë të afërt me pushtetin. Zëvendëskryeministrja shton se ajo ka reaguar edhe vitin e kaluar, se ka pasur edhe reagime në disa ngjarje që të gjendet mënyrë se si ajo të parandalohet.

“E ndjek me vëmendje reagimin e opinionit profesional se jo gjithmonë lartësia e dënimit është mekanizmi më i mirë për shqiptimin e masës dhe sërish vijmë deri tek ajo se sistemi gjyqësor, prokurorët dhe gjyqësorët duhet që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Ndonjëherë, për fat të keq kam përshtypje se prokurorët dhe gjykatësit vendosen në rolin më të madh se politikanët, bëjnë vlerësim politik që të miratojnë vendim të caktuar, për kohën e vendimit, për lartësinë e dënimit”, thotë Grkovska.

Duke u përgjigjur në pyetje gazetareske në lidhje me atë nëse ekziston keqpërdorim i flamurit evropian gjatë miratimit të ligjeve në vend, zëvendëskryeministrja pati përgjigje të shkurtër.

“Gjithmonë kam vlerësuar se është praktikë e keqe dhe në periudhën kur isha deputete në Kuvend, deri sot nuk e ndryshoj qëndrimin”, deklaroi Grkovska.

Ajo shtoi se kur bëhet fjalë për ndryshimet e Kodit Penal në lidhje me konfiskimin e zgjeruar, Grkovska potencoi se është e kënaqur nga kjo pjesë e ndryshimeve ligjore, pasi që kjo është iniciativë e kabinetit të saj dhe si kabinet janë të obliguar për koordinim të Strategjisë për rritjen e kapaciteteve për hetime financiare dhe konfiskim të pronës.

Grkovska tha se atë propozim e kanë pasur në korrik dhe e kanë obliguar Ministrinë e Drejtësisë që ta japë propozimin, duke e pasur parasysh se zgjerimi i konfiskimit jep më shumë mundësi që gjykatësit të gjykojnë dhe ajo të jetë një prej masave më serioze kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas përvojës që e kanë pasur shtetet tjera, thotë Grkovska, trysninë më të madhe dhe reagimin më të madh do ta ndjejnë ata që i kanë shkelur ligjin, nëse personalisht janë të prekur nga shkelja e ligjit që do të thotë se kur të ndjejnë se do t’u merret prona, atëherë realisht do të ndjehet se humbin diçka.

Grkovska deklaroi se është e papranueshme që më shumë se nëntë muaj të ruhen lëndë në sirtar.

“Shpresoj se kjo do të jetë një ndërgjegjësim për prokurorët dhe gjykatësit se duhet me integritet ta kryejnë punën e tyre, të mos i interesojë për kë bëhet fjalë, të gjykojnë vetëm në bazë të dispozitave ligjore”, shtoi Grkovska.

Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve të Maqedonisë së Veriut pasi morën nënshkrimin e presidentit Stevo Pendarovskit u publikuan në “Gazetën Zyrtare” dhe do të hynë në fuqi pas ditës së tetë pas publikimit të tyre, gjegjësisht javën e ardhshme.

Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.