Zelenski: 38 të vrarë në rajonin e Kievit dhe 4 të zhdukur
Presidenti i Ukrainës, Vlladimir Zelenski ka njoftuar se nga sulmet e fundit ruse në rajonin e Kievit 38 persona u vranë dhe katër kanë mbetur të zhdukur, transmeton Portalb.mk.
“Fatkeqësisht, dihet se 38 persona janë vrarë nga sulmi dhe shpërthimet e mëvonshme”, tha Zelenski.
Sipas tij, 20 persona janë plagosur, përfshirë dy fëmijë, ndërsa kërkimet për katër personat e zhdukur vazhdojnë.
Ai tha se Rusia ka lëshuar kundër Ukrainës gjatë javës së kaluar afro 2.000 dronë sulmues, më shumë se 1.600 bomba ajrore dhe 31 raketa, përfshirë raketa balistike të Koresë së Veriut.
Rusia ka intensifikuar sulmet e saj me raketa ndaj Ukrainës, ndërsa vendi përballet me mungesa të mëdha të sistemeve të mbrojtjes ajrore të afta për të rrëzuar raketat balistike me shpejtësi të lartë.
Kujtojmë se Rusia filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.