Zekolli-Shaqiri kërkon drejtësi për bashkëshortin e ndjerë: Kërkoj apelim të vendimit
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri kërkon që të apelohet vendimi për aksidentin e trafikut në Qarkoren e Shkupit në afërsi të Radishanit, ku humbi jetën bashkëshorti i saj, çiklisti Arbër Shaqiri. Ajo shton se sipas ligjit nuk i lejohet ankesa, pasi gjykata paraprakisht shqiptoi dënim me burg prej 7 muajsh për personin që dyshohet që shkaktoi aksidentin. Kjo për të është padrejtësi e dytë, madje më e rëndë se e para, transmeton Portalb.mk.
“Në momentin më të rëndë, kur vendimi u shpall, dhe dhimbja më pushtoi sërish, gjykatësja Dragana Isakovska më ngriti zërin. Ndriti zërin ndaj një gruaje që kishte humbur gjithçka, vetëm pse reagova njerëzisht. Atë çast nuk fola si profesioniste, por si nënë dhe si bashkëshorte e thyer. Dola me një fjali që më doli nga shpirti. Uroj të mos e përjetoni kurrë një dhimbje të tillë . Sot jam para jush me duar të lidhura, ligji nuk më jep të drejtë ankese, por Prokuroria e ka dhe sot i drejtohem asaj publikisht. Kërkoj apel të vendimit, kërkoj vendim të drejtë”, theksoi Zekolli Shaqiri.
Në vitin 2022, Arbër Shaqiri, anëtar i klubit të çiklistëve Phoenix cycling team, ndërroi jetë pas një aksidenti me veturë.
Ai ishte i punësuar në Komunën e Çairit, ndërsa pas vetes la dy fëmijë dhe bashkëshorten.