Vuçiqi nga Kina flet për serbët e Kosovës

Aleksandër Vuçiq ka zgjedhur Kinën para Shqipërisë ku po mbahet Samiti i Procesit të Berlinit. Presidenti i Serbisë ka udhëtuar për në shtetin aziatik ku do të marrë pjesë në Forumin e tretë të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, “Një Brez, një Rrugë”.

Vuçiq, i cili ka marrë me vete tetë ministra, përfshirë atë të mbrojtjes dhe atë të jashtëm, tha se vizita e tij në Kinë është shumë e rëndësishme dhe se vjen në momente që nuk janë aspak të lehta për të, shkruan Koha.net.

Ai paralajmëroi takime të rëndësishme dypalëshe, përfshirë me presidentin e Kinës, Xi Jinping dhe Wang huning.

Mediat serbe raportojnë se gjatë këtij samiti mund të ndodhë edhe një takim mes Vuçiqit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, i cili do të marrë pjesë në ngjarjen që mbahet në Pekin.

Gjatë një prononcimi për mediat serbe, ai foli sërish për tensionet me Kosovën dhe u përgjigj pyetjes nëse ushtron dhunë apo presion ndaj serbëve të Kosovës.

“Unë nuk jam pronar i jetës së serbëve nga Kosova e M., por u thashë se rrethanat kanë ndryshuar dhe se po kërkoj që ata të marrin pjesë në zgjedhje. Dhe shikoni hipokrizinë në anën tjetër. Më herët nuk u pëlqente vendimi për të mos shkuar në zgjedhje, tani nuk u pëlqen të shkojnë. Nuk u intereson çfarë thotë Vuçiqi. Për opozitën, unë jam një kriminel dhe një vrasës, më i keqi në botë,” u shpreh Vuçiq.

Sërish akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se nuk dëshiron të dialogojë dhe të zbatojë marrëveshjet e Brukselit, ndërsa kërkoi formimin e Asociacionit.

“Është e rëndësishme të flasim, të dialogojmë, edhepse e dimë se nuk ka asgjë për të fituar nga kjo, sepse Kurti nuk ka dashur asnjëherë dialog. Ne duam dialog, duam formimin e AKS-së, zbatimin e asaj që kemi rënë dakord, sidomos Marrëveshja e Brukselit që është nënshkruar gati 11 vjet më parë. Kam frikë se nuk kemi bashkëbisedues për këtë, por edhe biseda më e keqe është më mirë sesa të mos bisedohet fare”, tha Vuçiq.

Gjatë samitit “Një Brez, një Rrugë”, Vuçiq njoftoi se do të nënshkruajë marrëveshje për bashkëpunimin e përgjithshëm, tregtinë e lirë, dhe për futjen në përdorim të monedhës kineze në bankat e Serbisë.

Gjithashtu tha se do marrë financime të rëndësishme për ndërtimin e rrugëve apo projekteve të tjera në infrastrukturë. Një ndër synimet e shprehura nga ai ishte që Serbia të pushtojë tregjet kineze me raki.