Vrasje në Rrugën e Plastikave në Shkup, sulmuesit qëlluan nga motori dhe ikën 

Në një sulm të armatosur që ka ndodhur mbrëmë në bulevardin “Nikolla Karev”, përkatësisht në Rrugën e Plastikave në Shkup, është vrarë një 26-vjeçar, transmeton Portalb.mk. 

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në një deklaratë për mediat kanë thënë se ngjarja është raportuar mbrëmë rreth orës 23:30. 

“SPB Shkup është njoftuar se në afërsi të kryqëzimit ndërmjet rr. ‘Prohor Pçinski’ dhe rr. ‘Vojdan Çernodrinski’ në Shkup, derisa D.G. (29), A. Xh. (24), K.B. (36), E.B. (25) dhe A.M. (26), të gjithë nga Shkupi, qëndronin para vitrinës së një firme, është ndalur një motoçikletë në të cilën ndodheshin dy persona, të cilët kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të grupit, pas çka janë larguar në drejtim të panjohur. Njëra prej predhave e ka goditur A.M., i cili me automjet të Ndihmës së Shpejtë Mjekësore është transportuar në Kompleksin e Klinikave ‘Nënë Tereza’ në Shkup, ku ka ndërruar jetë”, informoi Ministria e Brendshme.

Policia po punon për zbardhjen e rastit.