VLEN për ndryshimet në Kodin Penal: Filipçe e pranoi gabimin, a do ta bëjë të njëjtën edhe Ahmeti?

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e pranoi gabimin, a do ta bëjë të njëjtën edhe Ali Ahmeti – pyesin në një reagim me shkrim nga koalicioni VLEN pasi kreu i socialdemokratëve dje tha se kanë gabuar me amendamentet në Kodin Penal, për të cilin ka reaguar edhe Komisioni Evropian në Raportin e fundit për sundimin e ligjit në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

VLEN vlerëson se vërejtjet e regjistruara nga KE në këtë drejtim tregojnë se “si regjimi i kaluar e ka ushtruar pushtetin me metoda të pandershme dhe të paligjshme”.

“Skandalet dhe korrupsioni i instaluar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe satelitët e saj kanë minuar besimin në gjyqësor, kanë penguar zhvillimin ekonomik dhe progresin shoqëror. Vërejtjet dhe mangësitë e evidentuara nga Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit pasqyrojnë qartë se si regjimi i kaluar ka ushtruar pushtetin me metoda të pandershme dhe të paligjshme. Ndërhyrjet e BDI-së në sistemin gjyqësor kanë qenë të papranueshme. Kujtojmë presionet ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, vetëm sepse ajo refuzoi të falë dhe të rikthejë Nikolla Gruevskin në Maqedoni si hero”, thonë nga VLEN.

Ndryshimet në Kodin Penal, sipas koalicionit qeverisës të shqiptarëve, është një tjetër përpjekje për të mashtruar qytetarët dhe për të mbrojtur interesat e pushtetit të atëhershëm, në kurriz të drejtësisë dhe transparencës.

“Në kontrast të plotë, koalicioni VLEN është i përkushtuar për të ndjekur një rrugë të pastër dhe të ndershme. Ne mbështetemi në mbështetjen e qytetarëve për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vendin tonë. Përmes zyrtarëve të zgjedhur pa njolla korruptive, ne dëshmojmë sjellje evropiane dhe transparencë në veprimet tona”, thonë nga VLEN.

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, dje tha se është bërë gabim me ndryshimet në Kodin Penal, të cilat dikur ishin objekt i një sërë kritikash nga opinioni profesional vendor dhe ndërkombëtar.

Në konferencën e djeshme për media, Filipçe tha se si parti opozitare nuk do të udhëheqin politikë të mbylljes së syve dhe veshëve ndaj kritikave publike dhe ndër iniciativat e para, siç tha ai, do të jetë miratimi i Kodit të ri Penal, i cili tashmë disa vite qëndron i hartuar dhe ruajtur  në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndaj deklaratës së djeshme të Filipçes ka reaguar edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vlerësoi se LSDM-ja çdo ditë del me teza në publik që askush, madje as ata vetë nuk i kuptojnë.