VLEN: Kryeparlamentari Gashi ka agjendën e vet në Uashington, organizuar që nga dita e zgjedhjes së tij

Lidhur me faktin se në delegacionin Qeveritar nuk kishte asnjë shqiptar, e për të cilën reagoi BDI-ja opozitare, mbrëmë VLEN i ka kthyer përgjigje. Sipas tyre BDI-ja merret me shpërndarjen e lajmeve të rreme, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si bartës i detyrës më të lartë shtetërore në pushtetin legjislativ, e ka agjendën e tij në Uashington, e cila organizohet që nga dita e zgjedhjes së tij, transmeton Portalb.mk.

“Asgjë nuk varet më prej tyre, e aq më pak se kush do të udhëtojë në SHBA dhe me kë do të takohet. Nëse do të kishin informacion më kohë nga partneret e tyre strategjikë, nuk do të turpëroheshin kështu. Por, kjo flet për kredibilitetin e tyre për të folur në emër të shqiptarëve. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, si bartës i detyrës më të lartë shtetërore në pushtetin legjislativ, e ka agjendën e tij në Uashington, e cila organizohet që nga dita e zgjedhjes së tij. Neve na vjen keq që BDI-ja ka zgjedhur metoda shumë të gabuara për të krijuar pakënaqësi te shqiptarët. Megjithatë, ne e dimë pse po i trillojnë këto përralla për, gjoja, reduktimin e përfaqësimit të shqiptarëve”, thonë nga VLEN.

Ata shtojnë se BDI në këtë formë përpiqet që kështu t’i fshehë gjurmët e mëkateve të veta, por se ende “ia kanë borxh opinionit përgjigjen se pse i kanë ofruar Mickoskit të hyjnë në qeveri në vend të VLEN-it me katër ministra, pa kryetarin e Kuvendit së bashku me garancinë se zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm do t’i lejojnë kandidatët e tij maqedonas të bëhen kryetarë të komunave të Kërçovës dhe Strugës?!”.

Kujtojmë se dje në kumtesën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për përbërjen e delegaconit që merr pjesë në Samitin e NATO-s, nuk figuronte asnjë shqiptar. I njëjti përbëhej nga kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski, si dhe ai i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.

Lidhur me mungesën e shqiptarëve në delegacion, ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Me BDI-në në Qeveri, Republikën e Maqedonisë së Veriut jo vetëm në samitet ndërkombëtare të NATO-s dhe të tjera, por edhe në institucionet më të larta të SHBA-ve e përfaqësonin kryeministri shqiptar, zëvendëskryeministri i parë e ministrat shqiptarë. Ndërsa sot, për herë të parë vendin tonë e përfaqëson një delegacion monoetnik në Samitin e NATO-s në Washington, SHBA. Delegacioni monoetnik nga Qeveria monoetnike është një dëshmi shtesë se vazalët e VLEN-it i shumëzon me zero si pasojë e mungesës së legjitimitetit zgjedhor dhe etnik. Sot, në delegacionin e RMV-së në Samitin e NATO-s nuk ka vend as për zëvendëskryeministrin “xhentëllmen” e lëre më ndonjë ministër. Prezenca simbolike e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe jo në punimet e samitit, nuk e mbulon turpin e shkeljes me dy këmbë të rolit dhe dinjitetit të shqiptarëve si popull shtetformues në vend”, thuhet në reagim.

Në Samitin e NATO-s nga 9 deri në 11 korrik, pritet formulimi në deklaratën përfundimtare në lidhje me gjasat e Ukrainës për anëtarësim në NATO.

Ukraina nuk do të ftohet për t’iu bashkuar NATO-s, pasi NATO-ja ka qenë e prerë se Ukraina nuk mund t’i bashkohet asaj derisa lufta është duke vazhduar.

NATO-ja do ti dhurojë armë dhe municione Ukrainës.

Përveç Këshillit NATO-Ukrainë në nivel liderësh, do të ketë edhe dy sesione të tjera pune në samit. I pari ka të bëjë me atë se sa e përgatitur është NATO-ja në rast se do të sulmohej.

Aleatët e NATO-s kanë rritur prodhimin e municioneve që nga viti 2022, nga rreth 100,000 predha artilerie para luftës në rreth dy milionë fishekë këtë vit dhe rreth tre milionë fishekë që priten në vitin 2025, sipas zyrtarëve.