VLEN: Javën e ardhshme do të organizojmë debat publik për Ligjin për përfaqësim të drejtë, ministri Minçev thotë që nuk ka ligj të tillë në minsitri
Propozim ligji për përfaqësim të drejtë është gati. Kështu u përgjigjën nga koalicioni VLEN për Portalb.mk lidhur me atë se në çfarë faze ndodhet ky ligj i cili pritet të “zgjidhë” çështjen e përfaqësimit etnik nëpër institucione. Ndryshe nga deklaratat e përfaqësuesve të partnerit qeveritar VLEN, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev thotë se në kuadër të ministrisë nuk po përgatitet zgjidhje e re ligjore që ka të bëjë me përfaqësimin e drejtë.
Nga VLEN thonë se javën në vazhdim planifikojnë të organizojnë debat publik.
“Pas të cilës propozim ligji do të futet në procedurë parlamentare”, thanë nga VLEN.
Por, në një intervistë për Press24, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev thotë se në kuadër të ministrisë nuk po përgatitet zgjidhje e re ligjore që ka të bëjë me përfaqësimin e drejtë.
“Është iluzion të debatohet deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Në qëndrimet e përfaqësuesve të partive politike që përbëjnë koalicionin “VLEN” ka jokoordinim dhe mospërputhje. Disa thonë se duhet të fillojë dialogu brenda koalicionit qeveritar për një zgjidhje të re të mundshme ligjore, të tjerë thonë se zgjidhja e re ligjore për përfaqësimin e drejtë të bashkësive etnike është në fazën përfundimtare. Por, kjo është çështje e brendshme e koalicionit. Mirëpo, në radhët e tyre është pjekur mendimi dhe atë publikisht e theksojnë se në të kaluarën është keqpërdorur mjeti digjital “balancuesi””, tha në një intervistë për Press24, Goran Minçev, ministër i Administratës Publike. Ai thotë se problemi më i madh në administratën publike nuk është mbipunësimi, sepse shifrat e fundit tregojnë rënie të të punësuarve, por organizimi, ekspertiza dhe profesionalizmi i punonjësve.
Në ndërkohë, dje (30 shtator 2024) Ministria e Administratës Publike dërgoi udhëzim nëpër institucionet shtetërore që procedura për punësim në institucionet e sektorit publik mund të vazhdojë nëse në shpalljen publike nuk shënohet përkatësia e komunitetit të kandidatit dhe kandidati nuk obligohet të tregojë përkatësinë e tij në komunitet.
Kjo erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e mjetit “balancues”.
“Procedura tashmë e filluar për punësim në institucionet e sektorit publik ndërpritet nëse shpallja publike është bërë në përputhje me aktet, gjegjësisht dispozitat e përfshira në pikën 1 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, d.m.th nëse në shpalljen publike theksohet përkatësia ndaj një komuniteti, ose nëse kandidati detyrohet që në aplikacion të tregojë përkatësinë në një komunitet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Administratës Publike.
Gjykata Kushtetuese më 18 shtator 2024 vendosi masën e përkohshme për moszbatimin e dispozitave për përkatësinë etnike gjatë punësimit në sektorin publik.
Derisa të vendosin nëse “balancuesi” është kushtetues apo jo, ai do të qëndrojë i ngrirë.
Lënda për “balancuesin” u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) për ta rishqyrtuar mjetin “balancues”, sepse ishin të mendimit se me të bëhen abuzime gjatë punësimit.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Izet Mexhiti, i cili është pjesë e koalicionit qeverisës “VLEN” ka theksuar se shqiptarët nuk humbasin asgjë me heqjen e këtij mekanizmi.
Sipas tij, gjatë formimit të Qeverisë së re, marrëveshja politike mes “VLEN”-it dhe partnerëve nga VMRO-DPMNE ka qenë që “balancuesi” të avancohet në ligj për përfaqësim adekuat të komuniteteve pakicë.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka vlerësuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohen.
- LEXO: Udhëzime për punësim me “balancues” të ngrirë: Kandidati nuk është i detyruar të deklarojë përkatësinë e komunitetit
- LEXO: Mexhiti: “Balancuesi” u keqpërdor, tani në Qeveri kemi pajtim për miratimin e Ligjit për përfaqësimin e drejtë
- LEXO: Mickoski për ngrirjen e “balancuesit”: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të komentohen
- LEXO: Kushtetuesja për “balancuesin” vendosi që përkatësia etnike gjatë punësimit nuk do të zbatohet deri në vendimin përfundimtar