VLEN formoi Trupin koordinues politik, paralajmëroi hapa të tjerë me synim që VLEN të bëhet “lëvizje politike rajonale”

Sot në Shkup u takuan udhëheqësit e koalicionit VLEN, koalicion i përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët, për të shpalosur Trupin koordinues politik të VLEN-it, transmeton Portal.mk.

“Sot u mblodh Trupi Koordinues Politik i VLEN-it i formuar nga përfaqësues të koalicionit. Ky organ ekzekutiv është rezultat i vullnetit të fortë politik mes liderëve të partive që janë pjesë e koalicionit VLEN për integrim gradual të brendshëm me qëllim rritjen e efikasitetit në realizimin e premtimeve parazgjedhore dhe veprimin e përbashkët politik të sinkronizuar”, njoftoi Lëvizja Besa.

Ata paralajmëruan edhe Komision të koalicionit për çështjet e zgjedhjeve, emërime deh mbikëqyrjes së zbatimit të politikave dhe Qendra e përbashkët për komunikim me publikun dhe emërimin e një zëdhënësi të koalicionit.

“VLEN po rritet në një faktor politik që punon ekskluzivisht në interes të një të ardhmeje të sigurt për shqiptarët. Ky proces ka nisur dhe nuk ka të ndalur. Synimi ynë është që VLEN të rritet në një lëvizje politike rajonale që do të fokusohet në adresimin e nevojave të shqiptarëve duke zbatuar hapa real politik”, deklaruan nga Lëvizja BESA, duke vlerësuar se VLEN do të bëhet simbol i bashkimit kombëtar të shqiptarëve.

Ndryshe, koalicioni VLEN është koalicion i cili ka 14 deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, aty ku kryeparlamentar është Afrim Gashi, emër i propozuar nga ky koalicion parazgjedhor.

Ata janë pjesë e koalicionit qeveritar të Hristijan Mickoskit, së bashku me VMRO-DPMNE dhe ZNAM.