Vijojnë kërkimet për një person të zhdukur ditën e djeshme në ujërat e liqenit në digën “Gllazhnja”

Ekipet e shpëtimit janë në kërkim të një burri, i cili dje ka hyrë në ujin e liqenit te diga “Gllazhnja” në Likovë dhe nuk ka dalë, ka njoftuar Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza (QMK) Kumanovë, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për një burrë me inicialet F. R. nga fshati Nikushtak, 30 vjeç.

Kërkimet për të po vazhdojnë që nga dita e djeshme, ndërsa ekipet zhytëse të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigri” në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) do të vazhdojnë edhe sot kërkimin e liqenit artificial.

Fakti që një person është zhdukur në ujërat e liqenit është raportuar në QMK dje rreth orës 13:50, pas së cilës rasti është raportuar edhe në SPB Kumanovë. Për sigurinë fizike të vendit janë angazhuar edhe policë nga stacioni policor “Matejçe”, ndërsa dje përmes policisë së Kumanovës është thirrur një ekip zhytës i MPB-së.