Vetëm rritja e buxhetit për shkencën nuk mjafton për ta “vendosur” një universitet të RMV-së në listën e Shangait
“Për shumë vite me radhë Harvardi ka qenë në krye të Listës së Shangait, duke pasur parasysh financat e tij. Por çështja jo gjithmonë është se sa para jepen, por si shpenzohen ato. Atje një profesor ka tre asistentë, ndërsa studentët kanë qasje në shumë burime dhe një bibliotekë që punon 24/7. Nuk është e drejtë që të bëhet një krahasim, por nëse neve na mungojnë librat, a do të jemi në gjendje t’i japim të njëjtat rezultate?”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lluka Paviçeviq nga Shkupi, i cili studion në Harvard, transmeton Portalb.mk.
Ish kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme tashmë është në gjysmë të rrugëtimit në studimet e tij në degën e Historisë dhe Shkencave Politike në Harvard, për të cilat ka fituar edhe një bursë. Ai thotë se mundësinë e studimit jashtë vendit e ka shqyrtuar që në vitin e parë të shkollës së mesme, edhe pse rruga për të fituar një bursë ishte komplekse.
“Tani që e shohim majën lista e Shangait mund të duket e largët, por duhet ta parashtrojmë pyetjen se çfarë ndodh me vendet e rajonit që dikur ishin në të njëjtin shtet si edhe ne. Universiteti i Beogradit renditet më mirë se Universiteti i Lubjanës dhe Universiteti i Zagrebit, që është një shembull indikator sepse Serbia nuk është anëtare e BE-së, por ka rezultate më të mira“, shton 21-vjeçari Lluka.
Sipas Llukës, i cili në të ardhmen e sheh veten si profesor universitar, vendi ynë duhet të shohë se çfarë është ajo që e kanë bërë ish-republikat jugosllave.
Gjashtë kritere për renditje në Listën e Shangait
Rangimi në Listën e Shangait bazohet në gjashtë kritere. I pari është marrja e Çmimit Nobel dhe Medaljes Fields, pastaj punimet e botuara në revistat kryesore shkencore si “Nature” dhe “Science”, numri i hulumtuesve shumë të cituar, numri i botimeve shkencore dhe performanca për banor.
Deri më tani asnjë nga universitetet në Maqedoni nuk ka qenë në këtë listë. Por Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup ka qenë në listën e publikuar nga SCIMAGO Institutions Rankings, servisi për rangimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe hulumtuese në botë.
Në këtë listë, në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2025 UKМ ka rënë për 3.128 vende në rangimin e përgjithshëm.
Ish-rektori i këtij Universiteti, Prof. Dr. Velimir Stojkovski, tha se një rënie e tillë është katastrofike dhe për këtë arsye duhet të parashtrohet pyetja – jo nëse janë siguruar fonde, por çfarë është bërë me to. Profesor Stojkovski, i cili ishte rektor i UKМ-së nga viti 2008 deri në vitin 2016, thotë se funksionimi i universiteteve varet nga fondet shtetërore, të cilat edhe pse rriten, nuk do ta zgjidhin problemin me rangimin.
“Përqindja e PBB-së që ndahet për shkencë vazhdimisht rritet. Subvencionohen punime të publikuara në revista me impact factor, financohen projekte hulumtuese shkencore me fonde solide, blihen pajisje. Nëse nisemi vetëm nga këto fakte ne duhet të presim që universitetet të renditen gjithnjë e më mirë. Por kjo nuk ndodh, përkundrazi”, thotë Prof. Dr. Stojkovski për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se Мinistria e Arsimit dhe Shkencës vetëm mund të blejë pajisje për universitetet, por përdorimi i tyre do të varet nga njësitë universitare.
“Nëse marrim një shembull hipotetik në të cilin MASh-i ka blerë një lloj pajisjeje me 100% pjesëmarrje, për hir të së vërtetës, ne do të duhet të shohim nëse edhe pala tjetër e ka mundësuar funksionimin e saj të pandërprerë. Ajo pajisje të cilën shteti e ka vënë në dispozicionin tuaj duhet të punojë për të kontribuar në marrjen e rezultateve të reja, në publikimin e punimeve të reja dhe përfshirjen e tyre në baza të caktuara të të dhënave, e si rrjedhojë për një rangim më të mirë. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë deri tek përgjigjja e duhur, shembuj të tillë ka shumë në fakultete”, shton Stojkovski.
Nevojiten më shumë asistentë
Ai thotë se universitetet gjithmonë kanë nevojë për asistentë të rinj, domethënë, kuadro të reja që do të kenë një rol të rëndësishëm në, siç thotë ai, zinxhirin e arsimit të lartë.
“Megjithatë, edhe këtu duhet bërë një vlerësim i mirë dhe një plan i mirë – ku nevojiten, sa nevojiten, me çfarë dinamike bëhet progresi. Sepse në një departament nuk mund të ketë katër profesorë dhe asnjë asistent “, thotë Stojkovski.
Duke folur për disperzimin e fakulteteve si një përpjekje për ta afruar arsimin e lartë për sa më shumë të rinj, ai thotë se edhe pse ideja ishte e mirë, ajo u zbatua gabimisht.
“Zhvillimi i një rajoni të caktuar me fakultete që janë karakteristike për atë rajon, gjë që do të ishte në dobi të të gjithëve, me një lidhje të mirë infrastrukturore është një zgjidhje e mirë. Por kopjimi i të njëjtave universitete që janë shumë afër njëri-tjetrit do të ndikonte në përdorimin racional të fondeve sepse vendi ynë nuk është mjaft i pasur për të zhvilluar kaq shumë universitete në të njëjtin nivel”, thotë bashkëbiseduesi i REL-it.
Sllaveski: Ndarja në universitete hulumtuese dhe mësimore
Ndërkohë, autoritetet tashmë po punojnë për një Ligj të ri për Arsimin e Lartë, për të cilin thonë se do ta përmirësojë situatën.
Por, profesori Trajko Sllaveski, guvernatori aktual i Bankës Popullore, është i mendimit se nevojitet kujdes dhe se nuk janë të nevojshme të njëjtat kritere pranimi për të gjitha universitetet.
Ai propozon që universitetet shtetërore të ndahet në mësimore dhe hulumtuese. Në një deklaratë për REL Sllaveski thekson se kjo tashmë funksionon në të gjithë Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi.
“Nuk duhet të krijojmë frustrim pas çdo publikimi të Listës së Shangait. Problemi mund të zgjidhet me ndarjen e universiteteve sipas performancës së tyre gjatë dekadave të fundit dhe të vendosen në një pozicion më të favorshëm për sa i përket financimit”, thotë Sllaveski.
Kjo do të thotë se këto universitete do të kenë më shumë fonde për hulumtim, gjë që do të impononte kritere më të rrepta për pranim dhe avancim. Nga ana tjetër, universitetet e tjera do të fitonin statusin e ‘institucioneve mësimore’, ku profesorët do të kishin më pak presion për të publikuar punime në revista shkencore.
“Ata do mund të përqendrohen më shumë në mësimdhënie dhe në punën me studentët. Unë kam qenë në të dy llojet e universiteteve në SHBA – në ato mësimore dhe ato hulumtuese. Në këto universitete të nivelit të dytë studentët marrin një arsim shumë solid, ndonjëherë edhe më shumë vëmendje nga vetë profesorët, sepse të parët janë nën presionin e nevojës për të qenë vazhdimisht në bashkëpunim me shkencën dhe për të publikuar hulumtime”, shton Sllaveski.
Ndryshime në Agjencinë për Cilësi në Arsimin e Lartë
Përveç këtyre ndryshimeve në Ligjin për Arsimin e Lartë autoritetet po përgatisin edhe një Ligj të ri për Veprimtarinë Shkencore – Hulumtuese.
Këtë vit, për dallim nga viti i kaluar, buxheti për shkencë është dyfishuar – informuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Radion Evropa e Lirë.
Vitin e kaluar shteti ndau 380 milionë denarë për shkencë, ndërsa këtë vit buxheti i planifikuar është 680 milionë denarë.
Nga kjo shumë përmes tre thirrjeve tashmë janë ndarë rreth 370 milionë denarë.
Autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e ristrukturimit të Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, që përfshin Këshillin e Akreditimit dhe Këshillin e Evaluimit.
Nga MASh për Radion Evropa e Lirë përkujtojnë se këtë vit për herë të parë është siguruar qasje falas në bazat e të dhënave shkencore SCOPUS dhe WEB OF SCIENCE për të gjithë shkencëtarët, profesorët dhe studentët në universitetet shtetërore.
Është nënshkruar një marrëveshje me Qendrën e Përbashkët Hulumtuese të Komisionit Evropian në Itali për të ofruar mbështetje shtesë për shkencëtarët nga Maqedonia në mënyrë që të realizohen qëllimet e Strategjisë së Smart Specializimit – shtojnë nga MASh-i.
“Lista e Shangait”, e njohur edhe si Renditja Akademike e Universiteteve Botërore (ARWU), vlerëson institucionet e arsimit të lartë bazuar në performancën kërkimore përmes gjashtë treguesve. Këta përfshijnë numrin e fituesve të Çmimit Nobel dhe Medaljes Fields midis ish-studentëve dhe punonjësve, numrin e studiuesve më të cituar, punimet e botuara në revistat Nature dhe Science, si dhe punimet e indeksuara në bazat kryesore të citimeve. Çdo tregues ka peshën e vet, dhe universiteti më i renditur merr 100 pikë, ndërsa vendosja e të tjerëve llogaritet si përqindje e atij rezultati.
Që nga qershori i këtij viti, Universiteti më i mirë nga Maqedonia “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) nuk renditet më as në listën e 2,000 universiteteve më të mira në botë, të krijuar nga Qendra për Renditjen Botërore të Universiteteve (CWUR) nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Vitin e kaluar, UKM ishte në vendin e 1990-të në këtë listë.