Verifikimi i fakteve është një udhëzues drejt të vërtetës në epokën e inteligjencës artificiale
Verifikimi i fakteve është një udhëzues drejt të vërtetës. Duke i deformuar informatat ne e deformojmë edhe realitetin. Verifikimi i fakteve dhe edukimi i mediave dhe gazetarëve janë dy shtyllat në luftën kundër dezinformatave, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Këto ishin mesazhet nga debati i sotëm me titull “Mediat dhe rrjetet sociale, ta rikthejmë besimin”, i cili u mbajt në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Sh. Kirili dhe Metodi” nën organizimin e Institutit Francez në Shkup dhe Fondacionit “Metamorfozis”.
Panelistë ishin Lavinia Abbott, redaktore në Ekipin Evropian të verifikimit të fakteve të Agjencisë “France Press”, Vincent Couronne, drejtor i “Les Surligneurs”, avokat dhe profesor universitar, si dhe Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”. Debati u hap zyrtarisht nga Ambasadori i Francës, Christophe Le Rigoleur.
“Ne të gjithë jemi dëshmitarë të rolit që mund ta luajnë dezinformatat dhe çfarë domethënie kanë për një proces demokratik. Dezinformatat marrin hov të madh sidomos tani me mediat sociale që përdoren gjithnjë e më shumë nga të rinjtë. Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale mundëson kompleksitet dhe rreziqe në luftën kundër dezinformatave. Personalisht, si një përdorues i zakonshëm i rrjeteve sociale, jam i fascinuar nga fuqia e informacionit të prodhuar nga IA. Prandaj, pyetja qenësore është, si t’i mbrojmë vlerat demokratike në një shoqëri, kur vëmë re se ka një devijim të informacionit? Bashkimi Evropian po mobilizohet gjithnjë e më shumë në këtë temë”, tha ambasadori Le Rigoleur në fjalimin e tij.
Drejtori i “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, foli për punën e Fondacionit dhe theksoi se politikanët nuk mund të miratojnë politika që nuk i marrin parasysh nevojat e qytetarëve.
“Në vitin 2010 “Metamorfozis” punoi për pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, në dialog me institucionet. Në vitin 2011 vendosëm të themelonim një shërbim për verifikimin e fakteve në media dhe verifikimin e informacionit. Qëllimi ynë nuk ishte vetëm të verifikonim faktet, por mbi të gjitha, të rrisnim kërkesën e qytetarëve për rolin e medias. Metodologjia jonë ishte transparente dhe konsultative me gazetarët. “Metamorfozis” nuk punon vetëm me dezinformatat, por drejton edhe programe të tjera – për transparencën dhe hapjen e institucioneve dhe të drejtat digjitale dhe jetën private, sepse qytetarët duhet të jenë të sigurt dhe të dinë se të dhënat e tyre nuk do të keqpërdoren”, tha drejtori Jashari.
Sipas tij, përmes deformimit të informatave, deformohet edhe realiteti.
“Politikanët nuk mund të miratojnë politika që nuk do i marrin parasysh nevojat e qytetarëve. Strategjia jonë bazohet pikërisht në këtë. Gjëja më e rëndësishme është që ne punojmë në interes të qytetarëve, por edhe me mediat digjitale, punojmë edhe në çështjen e transparencës së institucioneve dhe përpiqemi të kontribuojmë për një sistem të informacionit të besueshëm. Është shumë e rëndësishme që të përforcohen aftësitë e të rinjve, por edhe të qytetarëve të tjerë, sepse qëllimi nuk është vetëm të identifikohen dezinformatat, por edhe të vendosen në kontekst. Është gjithashtu e rëndësishme të kuptohen sistemet dhe mekanizmat e besueshmërisë dhe të ruhet një formë e caktuar e integritetit personal. Shohim përmbajtje që na ngjall emocione ose na argëton, por duhet të mendojmë para se të klikojmë ose para se t’i ndajmë lajmet, sidomos kur kemi të bëjmë me përmbajtje tronditëse”, tha Jashari.
Duke folur për inteligjencën artificiale ai theksoi se IA po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar, por është mirë që ekzistojnë mjete me të cilat mund të kontrollohet besueshmëria e informacionit.
“Ne i trajnojmë gazetarët për metodologjinë e luftës kundër dezinformatave dhe përpiqemi të shpjegojmë se pse mendojmë se është e rëndësishme të punojmë me gazetarët dhe median. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që institucionet të jenë të hapura. Për të shtatin vit radhazi kemi një projekt që e zbatojmë nëpër vendet e Ballkanit, ndërsa në kuadër të të cilit përpilojmë një listë institucionesh, gjegjësisht analizojmë se cili institucion është më i hapur dhe cili është më i mbyllur. Ne nuk e bëjmë këtë vetëm për t’i kritikuar institucionet, por, sipas metodologjisë tonë ne bashkëpunojmë me to dhe i ndihmojmë të bëhen më transparentë dhe të rangohen më mirë vitin e ardhshëm. Nuk mund të kemi një dialog cilësor nëse qytetarët nuk i kanë informacionet e nevojshme që i marrin prej tyre”, theksoi Jashari.
Lavinia Abbott, redaktore në ekipin evropian të AFP Fact Check, tha se dezinformatat e vënë në pikëpyetje demokracinë dhe lirinë e fjalës.
“Në “France-Press” kemi 130 gazetarë në të gjithë botën që verifikojnë fakte dhe punojmë në 26 gjuhë. Gazetarët dinë si t’i zbulojnë shpejt lajmet e rreme në internet. Ne i monitorojmë rrjetet sociale – TikTok, Telegram, Facebook, Instagram. Përdorim mjete të ndryshme, kërkojmë sipas fjalëve kyçe dhe kontrollojmë fjalime të caktuara. Sot ka shumë dezinformata. Nëse shihni një video të krijuar me inteligjencë artificiale të një Labradori që lëkundet në një lisharës, kjo nuk ka fare ndikim, por nëse vërejmë një postim në Facebook që thotë ‘Këto zgjedhje janë të manipuluara’, atëherë e dimë se një postim i tillë mund të ndikojë në opinionin publik dhe për këtë arsye e kontrollojmë atë informacion. Nëse lajmi i rremë lidhet me një foto, ne kontrollojmë nëse ajo është publikuar në të kaluarën dhe në çfarë konteksti”, tha Abbott, e cila shtoi se shumë nga dezinformatat zakonisht i gjejnë tek fotot e vjetra e që janë nxjerrë jashtë kontekstit.
Si shembull të lajmeve të rreme ajo përmendi një shembull nga Mbretëria e Bashkuar, ku e djathta ekstreme ka publikuar imazhe të vjetra të protestave kundër fashizmit dhe në mënyrë tërrejshme i ka prezantuar ato si protesta të kohëve më të fundit.
“Ne jemi këtu për të sjellë informacion të besueshëm. Nëse hasim një lajm të rremë në Shtetet e Bashkuara, ata do t’i informojnë kolegët në të gjithë botën dhe do të shohim nëse i njëjti lajm është i rremë. Për shembull, tani me dokumentet e Epstein kishte një lajm/foto të tij duke lëvizur nëpër Tel Aviv, me flokë të gjatë dhe truproja. Ishte një imazh i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, por u bë viral. Vumë re se i njëjti lajm ishte përhapur në shumë gjuhë dhe ne ishim në gjendje ta verifikonim atë globalisht”, tha Abbott.
Në këtë debat foli edhe Vincent Couronne, drejtor i “Les Surligneurs”, avokat dhe profesor universitar.
“E themelova këtë media më shumë se 8 vjet më parë. Arsyeja e themelimit të medias ishte se në vitin 2016 kryeministri i atëhershëm ndërhyri në një program radiofonik të mëngjesit, që ishte radioja më e dëgjuar në Francë. Ai bëri një deklaratë që nuk kishte kuptim – tha se nëse BE-ja nuk do ta ndryshonte politikën e saj, Franca nuk do ta zbatonte atë politikë, gjë që nuk kishte kuptim nga pikëpamja ligjore. Gazetari që e intervistoi papritmas e ndryshoi temën e bisedës. Kjo ishte e pabesueshme, gazetari nuk e korrigjoi kryeministrin. Pikërisht këtu lindi ideja e krijimit të ‘Les Surligneurs’, që në fakt do të thotë ‘nënvizues’, ‘shënues’. Që atëherë ne luftojmë për të vërtetën, ndërsa verifikimi i fakteve është një udhëzues drejt të vërtetës”, tha Couronne.