Vepra “Pas luftës, kush jemi ne?!”, solli para publikut në Shkup kujtimin e viktimave të luftës në Kosovë
Mbrëmë në Teatrin Shqiptar në Shkup u shfaq premiera e kryeveprës artistike “Pas luftës, kush jemi ne”, me tekst të Shpëtim Selmanit nën regji të Robert Nuhës, transmeton Portalb.mk.
Shfaqja nuk kishte nevojë për shumë fjalë, lëvizjet ishin të zëshme, ashtu siç mbartë edhe titulli i shfaqjes. Përpiqeshin të ngrejë zërin në mungesë të një zgjidhjeje për krimet serbe dhe fëmijët e vrarë në luftën e Kosovës. Këpucët me të cilat aktronin aktorët, ishin gjurmët që na thërrasin të bëjmë më të mirën, për të mos çuar dëm sakrificën e tyre. Një rebelim përmes artistit që përçon mesazh të qartë tek institucionet, të cilat kanë përgjegjësi ligjore dhe morale për ta mbyllur këtë proces të dhimbshëm.
“Pas luftës, kush jemi ne?!” përçon aktin sublim të artit dhe ndërgjegjësimit. Në qendër të vëmendjes është plaga që ka mbetur ende e hapur në Kosovë.
Siç e potencoi për Portalb.mk regjisori Robert Nuha, në shfaqje theksohet se janë të vrarë 1432 fëmijë gjatë luftës së viteve 1998-1999.
“Kanë kaluar më shumë se dy dekada dhe familjet e këtyre fëmijëve vazhdojnë të jetojnë në ankth duke u privuar shpirtërisht dhe emocionalisht që të çlirohen prej tij tash e 25 vjet. Jo pak, ende të zhdukur, e pritja ende vazhdon.” tha ai.
Baleti u gërshetua me tinguj të fuqishëm të muzikës të zhanreve të ndryshme, pa munguar këngët e vjetra qytetare shqiptare dhe zhanret më bashkëkohore. Muzika u luajt aty për aty dhe kjo e gjallëroi edhe më shumë atmosferën të cilën ata e sollën para një publiku të gjerë.
Një ambient i mbushur me tym që shpërndaheshte edhe në audiencë mjegullonte përqendrimin, pa i përjashtuar shkallët e improvizuara ku publiku ishte i ulur dhe herë pas here lëkundeshte, të gjitha këto lëvizje i japnin dimension dhe kontrast të thellë, duke përforcuar mesazhin. Nuk munguan as dialogët dhe monologët në tekstin minimalist por plot mesazhe të Shpëtim Selmanit, të cilët sjellin përjetime reale dhe imagjinare. Rikrijon në një formë dimensionin emocional të tragjedisë: si kanë mundur të ndihen fëmijët në ato çaste dhe si do ta përjetonin “sot një Kosovë të lirë, një Kosovë që frymon shqip, flet shqip, qan shqip, zemërohet shqip dhe ëndërron shqip”, siç thërritet në shfaqje.
“Pas luftës, kush jemi ne” ishte një vepër artistike që i ka munguar Kosovës dhe Shqiptarisë në përgjithësi. Ekipi i ka grumbulluar kuadrot më të mira të mundshme të artit dhe kulturës, nga Tirana, Shkupi dhe nga Prishtina.
Mesazhi i shfaqjes “Pas luftës, kush jemi ne?!” si eho mbetet thirrja se “Kosova po flet”. Ka efektin e katarzës, por mbi të gjitha është pyetja që ende pret përgjigje. Edhe njëzet e pesë vjet pas luftës.