Vendi i harruar dhe koha e ngrirë…

Në vendin e harruar, ku koha ka ngrirë, sundon ushtria e padukshme e banalitetit. Jeta lëviz ngathtë në shinat e rutinës. Ditët rëndohen nga klishetë dhe skemat. Kuvendohet me pasion për gjërat e parëndësishme. Ngjarjet e njëjta përsëriten në kohëra të ndryshme.

Në vendin e harruar njerëzit flasin për të kaluarën e lavdishme dhe kanë frikë nga e ardhmja. Aty sheh fytyrat e njëjta që merren me çështje publike.

Në vendin e harruar nuk preferohet vetmia dhe as gjuha poetike. Vetëpërmbajtja ushtrohet që nga fëmijëria. Nuk rekomandohen lëvizjet e pakontrolluara. Aty duhet të qeshësh me masë. Assesi s’duhet të flasësh me vetveten, sepse ankthet e depresionet diagnostikohen si çmenduri.

Në vendin e harruar, para bisedave të njëjta, të pyesin për shëndetin e anëtarëve të familjes. Aty ta njohin biografinë dhe thembrën e Akilit. Secili ka njohuri për marrëzitë e tua rinore dhe dashuritë e adoleshencës.

Në vendin e harruar nuk duhet të distancohesh nga lukunia. Duhet t’i përshtatesh mjedisit. Duhet të shfaqesh më i vjetër seç je. Të del më mirë nëse nuk ke vullnet të lirë. Duhet të jesh më shumë se vetvetja. Duhet t’u përkasësh të gjithëve. Duhet të udhëtosh rrugëve të njëjta, që të kthejnë në vendin ku je nisur. Duhet t’u nënshtrohesh më të fortëve dhe t’i nënshtrosh më të dobëtit.

Në vendin e harruar njerëzit frikësohen nga liria dhe përgjegjësia. Oportunizmi është art. Përdorimi i maskës është domosdoshmëri.

Në këtë botë të mbyllur, ekzotike, të sapoardhurit shihen si specie të çuditshme. Janë si zogjtë laramanë në botën pa ngjyra.

Në këtë vend ku përçmohet bota e jashtme, ku secili flet në emër të kombit dhe për probleme të mëdha politike, kombëtare, globale, jetohet në të njëjtën ditë, të cilës i kanë vënë emra të ndryshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.