Vendet baltike nuk i sugjerojnë Ukrainës të vazhdojë luftën, por e mbështesin në mbrojtje
Nuk është e vërtetë se dikush e nxit Ukrainën të vazhdojë luftën, përveç vetë Rusisë. Për një gjë të tillë nuk angazhohen as “luftëtarët e demokracisë evropiane”, siç i quajnë ironikisht në publikim shtetet dhe udhëheqësit evropianë që mbështesin të drejtën e Ukrainës për t’u mbrojtur. Edhe pse Rusia përpiqet ta paraqesë luftën si mbrojtëse, dëshmitë tregojnë qartë se ajo është agresori, shkruan Vërtetmatësi.
Ne po rishikojmë një postim në rrjetin social Facebook ku shkruan:
“Ukrainës i jepet këshillë të vazhdojë luftën dhe i dërgohen tre qen të vegjël baltikë, dy qen të vegjël veriorë dhe përfaqësues të krahut fashist evropian, të etur për gjak sllav.
Të gjithë ata që nxisin luftën në Ukrainë mund lirshëm të vendosin fëmijët e tyre në radhën e parë dhe popujt e tyre të zëvendësojnë ukrainasit, që këta të pushojnë pak nga fitoret kundër ushtrisë ruse, e cila lufton me lopata dhe pjesë nga makinat larëse. Rusia është e dobët, dhe ju mendoni se do të dukeni si luftëtarë të mëdhenj për demokracinë evropiane.
Plani i amerikanëve është të faktorizojnë situatën në terren. Ata e nisën luftën, ata duhet ta përfundojnë. Nuk arritën ta përkulnin Rusinë, edhe pse arritën të derdhin gjak sllav, duke plagosur përsëri popuj vëllezër, me skemat e tyre manipulatore dhe përzgjedhjen e plehut nga popujt, në këtë rast një komedian i shpifur.
Dhe tek të shihni rumunin, i cili i vodhi fitoren Kalin Georgescu, Zaev për të është Magjistër i “Crpkologjisë”.
Për të mos ofenduar intelektualët e LDSM-së, edhe në VMRO e ndjekin të njëjtin trend. Rusofobia është një lajthitje mendore e shkaktuar nga propaganda perëndimore.”
Në kuadër të postimit shpërndahet një fotografi me svastikë dhe me mbishkrim në anglisht: “Fashizëm në Evropë?”. Nuk është e vërtetë se ekziston një “krah fashist i Evropës”, siç pretendohet në mënyrë të rreme në postimin që po rishikojmë.
Asnjë vend në Evropë nuk është “i etur për gjak sllav”. Luftën në Ukrainë e nisi Rusia. Shtetet e BE-së mbështesin të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje. Ukrainasit janë sllavë, po ashtu edhe rusët, dhe të kërkosh fajtor ose justifikim për agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës te popujt evropianë është i pabazë.
Në postim nuk përmenden konkretisht cilat shtete baltike “i japin këshillë Ukrainës të vazhdojë luftën”. Por, sipas një njoftimi të publikuar në “Ukrainska Pravda” më 23 nëntor 2025, dihet se liderët e shteteve nordike dhe baltike (Danimarka, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Islanda, Estonia, Letonia, Lituania) në bisedë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky i kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Ukrainës, siç ka ndodhur që nga fillimi i agresionit ushtarak rus.
“Vendimi ynë buron nga fakti se e dimë që kjo nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë e Ukrainës, por edhe me sigurinë më të gjerë të Evropës,” thuhet në njoftimin e tyre.
Shtetet gjithashtu përmendin se Ukraina vazhdimisht tregon seriozitetin e saj për paqen dhe, siç ka theksuar presidenti Zelensky, “po punon mbi dokumentin e propozuar nga SHBA-të”.
Rusia deri tani nuk është angazhuar për një armëpushim apo për ndonjë hap që çon drejt paqes. Në vend të kësaj, Rusia vazhdon sulmet brutale ndaj civilëve dhe infrastrukturës ukrainase. Ndërkohë që Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës, ne do të mbështesim si sanksionet ashtu edhe masat më të gjera ekonomike, shtohet në deklaratën e tyre.
Kështu, këto shtete nuk i japin Ukrainës sugjerim që të vazhdojë luftën, sepse Ukraina është sulmuar dhe po mbron veten, domethënë po mbron territorin dhe integritetin e saj territorial.
Nuk është e vërtetë se dikush nxit Ukrainën të vazhdojë luftën, përveç vetë Rusisë. Për një gjë të tillë nuk angazhohen as “luftëtarët e demokracisë evropiane”, siç i quajnë ironikisht shtetet dhe udhëheqësit evropianë që mbështesin të drejtën e Ukrainës për t’u mbrojtur. Edhe pse Rusia përpiqet ta paraqesë luftën si mbrojtëse, dëshmitë tregojnë qartë se ajo është agresori.
Faza më e fundit e luftës në shkallë të gjerë filloi më 24 shkurt 2022, kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin e quajti operacionin “operacion ushtarak special”, por shumë vëzhgues, qeveri dhe media ndërkombëtare e konsiderojnë atë si një pushtim të paligjshëm.
Prandaj, nuk është e saktë pretendimi se “amerikanët e nisën luftën dhe ata duhet ta përfundojnë”. Kontrolluesit e fakteve tashmë kanë demantuar pretendimin se “Zelensky ka pranuar se SHBA e kanë nisur luftën në Ukrainë”. Kontrolluesit e fakteve të PolitiFact theksojnë se Rusia ka nisur pushtimin ushtarak të Ukrainës.
Teza në postim se “SHBA kanë arritur të derdhin gjak sllav dhe të plagosin popuj vëllezër” është e rreme. Presidenti i Ukrainës, Zelensky, i cili në postim përmendet me fjalë fyese, është zgjedhur në zgjedhje demokratike në Ukrainën sovrane dhe nuk është “zgjedhja e plehut të popujve”. Që nga fillimi i agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, legjitimiteti i tij shpesh keqinterpretohet si dikush i emëruar nga faktorë të jashtëm dhe “i instaluar”, por kjo është vetëm një teknikë manipulimi për të delegjitimuar zgjedhjen sovrane të popullit ukrainas, i cili zgjedh qeverinë dhe presidentin e tij në mënyrë demokratike, jo të “vendosur nga jashtë”.
Nuk është e vërtetë se Nikushor Dan, president i Rumanisë, “i vodhi fitoren Kalin Georgescu”. Para se të bëhej president, Dan kishte një karrierë në arsim, shkencë, shoqëri civile dhe reforma urbane. Ai ka përfunduar fakultetin e matematikës në Universitetin e Bukureshtit, më pas vazhdoi studimet në Paris dhe fitoi magjistraturë dhe doktoratë në matematikë në Francë. Kur u kthye në Rumani, punoi si hulumtues në Institutin e Matematikës të Akademisë Rumune nga 1998 deri në 2016 dhe luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e një institucioni elitë për arsimin e lartë në shkencë, i krijuar për të inkurajuar nxënësit me arritje të larta të vazhdojnë studimet universitare në Rumani. Si adoleshent, ai ka fituar dy herë medaljen e artë për Rumani në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës. E gjithë biografia e tij është publikuar në faqen zyrtare të presidentit të Rumanisë.
Trupi qendror rumun për organizimin e zgjedhjeve i ndaloi kandidatit pro-rus, Kalin Georgescu, të kandidonte për president. Arsyeja që dha Komisioni Qendror Zgjedhor i Rumanisë për pezullimin e Georgescu ishte aktiviteti dhe deklaratat e mëparshme që ishin në kundërshtim me vlerat e kërkuara për funksionin presidencial, raporton Euronews.
I quajtur “mesia i TikTok-ut”, Georgescu doli i pari në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale rumune në dhjetor. Por, Gjykata Kushtetuese në dhjetor anuloi votimin pasi u deklasifikuan raporte inteligjence që treguan përfshirje ruse për të ndikuar te zgjedhësit për të mbështetur kandidatin atëherë relativisht të panjohur, shkruan Euronews.
Vendimi i plotë është publikuar këtu. Në të, ndër të tjera, shkruhet se “kandidati ka shkelur detyrimin për të mbrojtur demokracinë që bazohet në të drejtën e zgjedhësve për një votim të drejtë, të plotë dhe të paanshëm, sipas ligjit, pa të cilën ndryshohet themeli i rendit kushtetues ekzistues”.
Nuk ekziston rusofobi e shkaktuar nga “propaganda perëndimore”, por shtetet e BE-së po përballen dhe po mbrohen nga ndikimi pro-rus në zgjedhjet e tyre të pavarura dhe sovrane, brenda vetë shteteve të tyre.
Për shkak të të gjitha këtyre fakteve, postimi që po rishikojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.
