UNT në Shkup sot zhvilloi konferencë me temën “Pavarësia e Shqipërisë dhe Shqiptarët 112 Vjet Pas”

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në bashkëpunim me Fondacionin për Zhvillim dhe Qytetërim dhe Qendrën për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, realizuan konferencën mbarëkombëtare shkencore me temën “Pavarësia e Shqipërisë dhe Shqiptarët 112 Vjet Pas”, transmeton Portalb.mk.

Kjo konferencë, mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike, organizatave joqeveritare, studentë, si dhe staf akademik dhe administrativ.

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Izet Zeqiri, në fjalën hapëse përgëzoi të pranishmit me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit. Ai shprehu falënderime për bashkëpunëtorët dhe panelistët, duke theksuar përkushtimin e UNT-së për rritjen e cilësisë shkencore dhe promovimin e vetëdijes kombëtare.

Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri gjatë fjalimit, nga UNT/Facebook
Rektori i UNT-së, Izet Zeqiri gjatë fjalimit, nga UNT/Facebook

Kryetari i Fondacionit AXIS, Rufat Sherifi, i falënderoi për bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e kësaj konference për fuqizimin e ndërgjegjes kombëtare.

Kryetari i Fondacionit AXIS, Rufat Sherifi gjatë fjalimit, nga UNT/Facebook
Kryetari i Fondacionit AXIS, Rufat Sherifi gjatë fjalimit, nga UNT/Facebook

Konferenca u zhvillua në dy sesione dhe u moderua nga z. Fisnik Shabani. Në sesionin e parë me punimet tyre ishin, Dr. Ardian Muhaj me temë: “Pavarësia e shtetit shqiptar dhe roli i shqiptarëve në kontekstin rajonal pas shkëputjes nga Perandoria Osmane”, Dr. Sylë Ukshini me temë: “Qëndrimi i diplomacisë gjermane ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës”, Dr. Muhamed Jashari me temë:  “Pavarësia e Shqipërisë – një lindje nga kaosi”, Prof.dr. Izet Zeqiri me temë: “Pavarësia e Shqipërisë dhe ekonomia e shqiptarëve 112 vjet pas: Analizë krahasuese e situatës ekonomike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni” si dhe Dr. Fehari Ramadani së bashku me Dr. Hiriet Ziberi me temë: “Politika ballkanike e Austro-Hungarisë dhe pavarësia shqiptare”.

Gjatë sesionit të dytë punimet e tyre prezantuan: Mr. Behar Kaçelime temë: “Organizimi i jetës fetare te shqiptarët pas shkëputjes nga Kalifati Osman”, Prof.Inor.dr. Fati Iseni me temë: “Lëvizja xhonturke dhe shqiptarët”,  Dr. Sevdail Demiri me temë: “Shqiptarët e Shkupit dhe Kumanovës në luftën për bashkim dhe flamur kombëtar”, si dhe Dr. Kujtim Kasami me temë: “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë – akt me rëndësi historike”.

Kjo konferencë jo vetëm që nderoi historinë e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe kontribuoi në fuqizimin e lidhjeve akademike dhe shkencore mbarëkombëtare. UNT riafirmoi angazhimin e tij për të promovuar vlerat kombëtare dhe shkencore në nivel ndërkombëtar.