Universitetet spanjolle: Do t’i japim fund çdo bashkëpunimi me Izraelin

Nga Izraeli pritet një angazhim i qartë për paqen – dhe nëse kjo nuk ndodh, universitetet spanjolle kanë thënë se do të ndërpresin lidhjet me çdo institucion arsimor izraelit, transmeton Portalb.mk.

Protestat e studentëve janë intensifikuar në të gjithë Evropën Perëndimore në javët e fundit me demonstruesit që kërkojnë t’i jepet fund gjakderdhjes në Gaza dhe ndërprerjen e lidhjeve me Izraelin, në shenjë të ngjashme me demonstratat që kanë pushtuar kampuset amerikane.

Në një deklaratë, Komiteti i Universiteteve (CRUE) dënoi dhunën dhe mbështeti protestat që janë shfaqur së fundmi në kampuset spanjolle.

Duke kërkuar një fund të menjëhershëm të veprimeve të Izraelit në Gaza, ata u zotuan të “rishikojnë lidhjet dhe, nëse është e nevojshme, të ndërpresin bashkëpunimin me universitetet dhe qendrat kërkimore izraelite që nuk kanë shprehur një angazhim të vendosur për paqen dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar”.