UNDP organizon debat për trajtimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) organizon sot në Muzeun e artit bashkëkohor në Shkup panel diskutim “Demokracia në rrezik: Ballafaqimi me dezinformatat si rrezik për procesin zgjedhor”, në të cilin do të diskutohet për lajmet e rreme dhe dezinformatat dhe ndikimin e tyre të fortë në proceset demokratike, transmeton Portalb.mk.

“Në një kohë kur lajmet përhapen më shpejt se kurrë më parë, publikimi dhe shkëmbimi i informacionit të saktë ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për proceset demokratike. Nga ana tjetër, lajmet e rreme dhe dezinformatat përhapen me “shpejtësinë e dritës” përmes kanaleve të ndryshme mediatike dhe mund të minojnë lehtësisht besimin, shtrembërojnë faktet dhe manipulojnë opinionin publik,” thekson zyra e UNDP-së.

UNDP njoftoi se kanë vendosur që Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë ta shënojnë me një panel diskutimi duke pasur parasysh, siç theksohet, “ekspozimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ndaj dezinformatave, si dhe zgjedhjet e ardhshme në vend”.

Kujtojmë se në analizën  “Perspektiva gjeopolitike e rrjedhave të dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” e publikuar nga Fondacioni Metamorfozis, konstatohet se dezinformatat dhe lajmet e rrejshme nuk janë vetëm problem i mediave, por edhe problem i sigurisë. Ata i destabilizojnë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e minojnë besueshmërinë në institucionet demokratike, duke e penguar realizimin e qëllimeve më të rëndësishme strategjike të shteteve, përfshirë këtu edhe të Maqedonisë së Veriut.

Ky është konstatimi i përgjithshëm i, e cila thekson lidhjen mes ndikimeve të dëmshme të huaja dhe aktorëve vendas që përdorin narrative dezinformative për ta destabilizuar rajonin dhe për ta penguar integrimin euroatlantik.