Ukraina po kërkon të rifillojë shkëmbimin e të burgosurve me Rusinë, me synimin për të liruar rreth 1.200 ukrainas, transmeton Portalb.mk.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se po zhvillohen takime dhe negociata intensive për këtë proces.
Shefi i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, bëri të ditur se ka pasur bisedime në Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas tij, palët janë pajtuar t’i kthehen marrëveshjeve të Stambollit të vitit 2022 për lirimin e të burgosurve.
Moska ende nuk ka komentuar mbi deklaratat e Kievit.
Që nga viti 2022, Ukraina dhe Rusia kanë kryer mijëra shkëmbime, por ato kanë qenë të rralla për shkak të përshkallëzimit të luftimeve.
Umerov tha se së shpejti do të vazhdojnë konsultimet për detajet praktike të procesit, me shpresën që të burgosurit ukrainas të kthehen në shtëpi për festat e fundvitit.