Ueb-faqet e qeverive dhe kompanive në Evropë u çaktivizuan pasi inteligjenca artificiale zbuloi dobësi sigurie

Ueb-faqet e disa qeverive në Evropë dhe në botë u çaktivizuan dje, pasi u zbuluan dobësi kritike në një gjuhë programimi të përdorur gjerësisht, duke i detyruar operatorët e ueb-faqeve në mbarë botën të punojnë me urgjencë për mbrojtjen e sistemeve të tyre, raporton Ruters.

Zhvilluesit e gjuhës së programimit PHP të mërkurën publikuan arnime urgjente për dobësitë që kishin mbetur të fshehura në softuerin e tyre për vite me radhë, derisa u zbuluan me ndihmën e inteligjencës artificiale (IA). Ata u bënë thirrje të gjithë përdoruesve që ta përditësojnë menjëherë softuerin.

Pasi kompanitë e teknologjisë paralajmëruan se disa hakerë tashmë po i shfrytëzojnë këto dobësi, agjencitë qeveritare në Evropë ishin ndër institucionet që i çaktivizuan paraprakisht ueb-faqet e tyre.

Tani që arnimi është bërë publik dhe mjetet e inteligjencës artificiale mundësojnë analizimin e dobësisë përmes inxhinierisë së kundërt me pak përpjekje, ekspertët thonë se po përgatiten për një valë sulmesh, ndërsa hakerët përpiqen të veprojnë më shpejt sesa zbatohen përditësimet e sigurisë.

Inteligjenca artificiale po nxit një garë për shfrytëzimin e dobësive, thotë Kostin Raju, bashkëthemelues i kompanisë për hulumtimin e sigurisë kibernetike dhe reagimin ndaj incidenteve TLP Black. Ai shton se hapi i ardhshëm mund të jetë komprometimi masiv i çdo serveri të cenueshëm në internet.

PHP-ja, një gjuhë programimi që daton nga fillimi i viteve 1990, përbën bazën e një pjese të madhe të internetit publik dhe përdoret në platforma si WordPress, Drupal, Joomla dhe Magento. Kjo do të thotë se çdo dobësi kritike mund të ketë pasoja të mëdha.

“Do të jenë të cenueshëm të gjithë serverët që përdorin cilindo version të PHP-së të publikuar gjatë 20 viteve të fundit”, thotë Tifani Faris, drejtoreshë e përkohshme ekzekutive e Drupal. “Ky problem prek pjesën më të madhe të internetit.”

Agjencitë e sigurisë kibernetike në mbarë botën u kanë bërë thirrje përdoruesve që ta përditësojnë menjëherë softuerin ose t’i çaktivizojnë përkohësisht ueb-faqet e tyre, derisa të zbatohen arnimet përkatëse.

Sipas të dhënave të kompanisë së inteligjencës së internetit Census, rreth 1,5 milionë nga gjithsej 2,6 milionë hostë përdorin një version të PHP-së për të cilin ende nuk ka arnime të disponueshme.

Agjencia holandeze për sigurinë kibernetike gjithashtu e çaktivizoi ueb-faqen e saj, duke bërë të ditur se këtë e kishte ndërmarrë si masë parandaluese për shkak të dobësive të përmendura. Operatori i enciklopedisë online Wikipedia gjithashtu njoftoi se kishte çaktivizuar një numër sistemesh derisa ato të siguroheshin përmes arnimeve përkatëse. Ndërkaq, Internet Archive, një bibliotekë e madhe online, bëri të ditur se gjithashtu kishte ndërprerë përkohësisht funksionimin për ta zgjidhur problemin.

Edhe disa liderë botërorë reaguan ndaj situatës. Kryeministri holandez deklaroi se po e përcillte nga afër gjendjen. Sanaa Takaichi, politikane japoneze, në një postim në platformën X u bëri thirrje pronarëve të ueb-faqeve të kontrollojnë nëse faqet e tyre aktive përdorin PHP-në dhe të përgatiten për zbatimin e arnimit të ri.

Dobësia në PHP u zbulua me ndihmën e inteligjencës artificiale, sipas raporteve të pavarura të dy kompanive të sigurisë kibernetike. Në një postim në blog, kompania Kalif njoftoi se më 1 gusht i kishte zbuluar dobësitë duke përdorur një model të madh gjuhësor dhe se që atëherë po punonte për eliminimin e tyre. Edhe kompania e sigurisë kibernetike Wiz, në pronësi të Alphabet, njoftoi përmes një postimi në blog se e kishte zbuluar problemin duke përdorur mjetin e saj autonom për hulumtimin e dobësive, të bazuar në inteligjencën artificiale.