Udhëpërshkrimi i Livnjakut

Ishte 20 qershori i vitit 1615 kur Jusufi, i biri i Muhamedit, u nis në Haxh. Bashkë me të ishte edhe e shoqja, hanëme Razija, mbase boshnjakja e parë që e vizitoi Qabenë. Haxhi Jusuf Livnjaku (shek. XVI – 1647), një myezin nga Livna e Bosnjës, e ka përshkruar udhëtimin njëvjeçar, duke u bërë kështu autori i parë i alamiados boshnjake. Livnjaku udhëtoi në relacionin: Sarajevë – Shkup – Selanik – Aleksandri – Kajro – Meke dhe anasjelltas, kurse udhëpërshkrimin e shkroi me diskursin e një pelegrini.

Daniel Anri – Pazho, derisa shkruan për poetikën e udhëtimit, e bën dallimin ndërmjet pelegrinit, turistit dhe udhëtarit. Pelegrinazhi, sipas tij, është akt kulturor dhe kërkim i transcendencës, turisti e zëvendëson kërkimin shpirtëror me kërkimin e dashurisë, kurse udhëtari e kërkon të paparashikueshmen.
Livnjaku i përshkroi shkurtimisht vendet ku udhëtoi dhe 119 konakët ku pushoi ose e kaloi natën.
“Unë i përuluri vendosa të mbaj shënim për të gjithë konakët dhe vendet që do t’i shohim gjatë udhëtimit dhe për ziaretet (vizitat) e varreve të të dashurve të Zotit”. [Hadži Jusuf Livnjak, Odazivam Ti se, Bože… putopis sa hadža 1615. godine, Sarajevë, 1981.

Dorëshkrimi origjinal, i shkruar në gjuhën turke, nuk është ruajtur. Një përshkrim identik, që gjendet në bibliotekën Gazi Husrev-beu në Sarajevë, u përkthye në boshnjakisht nga Mehmet Mujezinoviqi. Ky përkthyes e përmend edhe dorëshkrimin e një Haxhi Mu¬stafe nga Shkupi (Uskubli), i cili më 1673/74 udhëtoi drejt Mekës nëpërmjet Jerusalemit.

Haxhi Livnjaku la vetëm këtë udhëpërshkrim. Studiuesit thonë se stili i të shkruarit dëshmon se ai ishte i arsimuar dhe mendjemprehtë. Në këtë dorëshkrim përmenden: Pazari i Ri, Prishtina, Mitrovica, Ibri, Plava, Nagoriçani, Presheva, Kaçaniku, Shkupi, Tetova, Velesi etj.

“Nga Plevla arritëm në Prepoli, ku pranë kalon lumi i madh Lim. Natën e kaluam në Senicë dhe vazhduam për në Jeni-Pazar [Pazari i Ri], një kasaba e bukur. Në fushën pranë Pazarit rrjedh lumi i madh Ibri. Pastaj arritëm në Mitrovicë, ku në një breg të lartë gjendet kalaja e Zveçajit [Zveçanit]. Pastaj arritëm në Prishtinë, një kasaba shumë e rregulluar dhe e bukur, ku qëndruam një ditë. Pranë Prishtinës shtrihet nahija e Kosovës dhe nëpër të rrjedh lumi Lab, ku rahmetli Sulltan Murati e ndërtoi një urë të madhe dhe të bukur. Më pas shkuam në nahinë e Pasjanit, ku e kaluam natën në një han me përmasa 80 me 40 arshinë. Pastaj kaluam në Malin e Zi [të Shkupit], ku e kaluam natën në katundin Nagoriçan, pastaj në nahinë e Preshevës, në anën e djathtë të Kaçanikut dhe Uskupit [Shkupit]. Prej këtu shihet fusha e madhe e Kalkandelenit [Tetovës]… Në kasabanë Kuprili [Veles], gjithashtu ka një xhami të bukur, minare dhe një han me përmasa 100 me 50 arshinë, me 60 shtylla mermeri. Pranë rrjedh lumi Marica dhe aty është një urë e gjatë me përmasa 200 me 60 arshinë”.

Jusuf Livnjaku e përshkroi edhe rrugën e kthimit, ku sërish e përmend Shkupin, këtë “qytet shumë të bukur”. Në udhëpërshkrim flitet edhe për vende të Bullgarisë, Turqisë, Egjiptit, gjithsesi edhe për Mekën dhe Medinën. Përmendet edhe Aleksandria ku autori, siç thotë, e vizitoi varrin e Iskender Zulkarnejnit, që disa historianë mendojnë se ishte Leka i Madh. Ndërkaq për Stambollin shkroi: “Nuk ka penë e fjalë që mund ta përshkruajë këtë qytet më se të bukur”.

Nga kjo periudhë kemi shumë shënime dhe udhëpërshkrime për këto vise, shkruar nga autorë të ndryshëm, kryesisht pelegrinë apo emisarë europianë. Udhëpërshkrimet ofrojnë të dhëna të çmuara për përditshmërinë dhe mënyrën e jetesës së banorëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.