U sulmua dhe dëmtua ish-ambulanca midis Llojanit dhe Vaksincës: Banorët kërkojnë dënimin e autorëve, MPB po ndërmerr masa
Objekti i ish-ambulancës midis fshatrave Llojan dhe Vaksincë është sulmuar para pak ditëve, ku janë thyer dyer dhe dritare. Banorët e dy fshatrave kërkojnë që të gjenden autorët dhe dënohen, ndërsa edhe ambulanca të rifllojë me punë. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit, ndërsa nuk dihet nëse ka plan për rifunksionalizimin e ambulancës, shkruan Portalb.mk.
Dritare të thyera, derë të thyera, dërrasa, gurrë. Këto janë pamjet pas sulmit ndaj objektit të ish-ambulancës, i cili është degë e Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë, midis fshatit Llojan dhe Vaksincë.
Në këtë objekt madje funksionon edhe Njësia Rajonale Kumanovë e Drejtorisë për Librat Amë.
Për këtë incident kanë reaguar vetë banorët e fshatrave.
Më 14 janar, banorët e fshatit Llojan, bënë apel për gjendjen e ish-ambulancës, ku kërkuan që organet kompetente të marrin masa dhe të zbulojnë autorët.
Të njëjtën ditë, reaguan edhe banorët e fshatit Vaksincë që sipas tyre, shkatërrimi i ish-ambulancës mes Vaksincës dhe Llojanit është një goditje e madhe për komunitetin.
Dje (16 janar) Portalb.mk vizitoi këtë objekt ku pamë nga afër dëmet.
Një banor i fshatit Llojan theksoi se nuk është hera e parë që është dëmtuar ky objekt.
“Kjo nuk është hera e parë që e kanë thyer dhe i kanë vjedhur sendet mjekësore brenda ambulancës. E kemi lajmëruar rastin në polici edhe më herët, por nuk janë gjetur as autorët, as nuk janë ndërmarrë masa. Është e papranueshme që ky vend të shkatërrohet dhe askush të mos bëjë asgjë”, tha banori.
Një banor tjetër nga fshati Vaksincë tha se ky objekt është jetik për ta dhe nuk duhet të lejohet shkatërrimi i tij.
“Është e papranueshme që ish-ambulanca të shkatërrohet dhe fatkeqësisht askush nuk merr përgjegjësi për këtë dëmtim. Kërkojmë nga institucionet përkatëse që të ndërmarrin masa urgjente për ruajtjen e këtij objekti, sepse në të ardhmen ai mund të bëhet sërish vend për shëndetin e banorëve tanë. Nuk mund të lejojmë që indiferenca dhe neglizhenca të vazhdojnë të dëmtojnë pasuritë tona publike”, tha banori.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për Portalb.mk njoftuan se rasti është raportuar në stacionin policor në Mateç, dhe se po merren masa për zbardhjen e tij.
“Më 15.01.2026 në orën 09:30 të mëngjesit, në stacionin policor Mateç është raportuar se në ambulancën në fshatin Llojan janë dëmtuar dera dhe dritaret. Një ekip nga SPB Kumanovë ka kryer inspektim dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, thanë nga MPB.
Banorët e dy fshatrave përveç zbardhjes së dëmtimit të objektit, kërkojnë që ambulanca të rifllojë me punë dhe të ofrojë shërbim mjekësor 24 orë, pasi është lënë në gjendje të mjerueshme.
Megjithatë, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shtëpia e Shëndetit Publik Kumanovë nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske nëse do të rikthejnë në funksion këtë ambulancë.