U pensionua Teuta Bekteshi Ajeti, mjekja që luftoi për emancipim dhe pavarësi ekonomike të grave

Teuta Bekteshi Ajeti ka qenë kryetare e Lidhjes së Gruas në degën e Kumanovës me ç‘rast është angazhuar që gratë të fitojnë të drejta në emancipimin dhe pavarësim ekonomik duke u bërë dhe një shembull i mirë për ta, krahas kësaj gjithë jetën ka punuar mjeke. Për Portalb.mk sjellim pak nga jetëshkrimi i saj me rastin e pensionimit.

Teuta Bekteshi Ajeti lind më 16 nëntor të 1957 në Kumanovë. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollën e mesme në gjimnazin, “Goce Dellçev” të Kumanovës ku mësimi ka qenë krejtësisht në gjuhën maqedonase, përveç historisë edhe gjuhës shqipe.

Është anëtare e shoqatës së mjekëve shqiptarë në RMV. Fakultetin e ka kryer në Universitetin e Prishtinës, mirëpo për shkak të aktivitetit të saj politik e përfshirë në demonstratat studentore dhe në Lëvizjen Ilegale të asaj kohe si pasojë u përndoq dhe ra në burg. Që nga ‘97-ta, udhëheq ordinancën “Doktor Teuta”, pasi mundësia për të punuar në shëndetësinë publike ka qenë e pamundur për shkak të shkuarës së saj e përfshirë në aktivitetin e saj politikë në proceset si pararojë e pavarësisë së Kosovës.

Teuta Bekteshi ka status si irredentiste dhe konsiderohet si e rrezikshme për shtetin. Deri vonë i është mohuar edhe nënshtetësia e shtetit ku përket.

Rrjedh nga një familje arsimdashëse, babai i saj ka qenë mësues dhe kjo ka qenë në favor për shkollimin e saj në kohën kur pak vajzave u lejohej kjo.

Ka qenë kryetare e Lidhjes së Gruas për Kumanovë me ç ‘rast është angazhuar që gratë të fitojnë të drejta në emancipim dhe pavarësim ekonomik duke u bërë dhe një shembull i mirë për ta. Është anëtare e shoqatës së mjekëve shqiptarë në RMV. Po ashtu anëtare dhe themeluese e rrjetit multietnik të organizatave joqeveritare “ANTICO” në RMV. Anëtare dhe themeluese rrjetit multietnik e Qendrës së Gruas në Kumanovë.

Është pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore; Konferenca ndërkombëtare për përforcimin politik të gruas – Poreç, Kroaci 2002, Konferenca “Women can do it” në Beograd, Serbi 2002, pjesëmarrëse e kuvendit të tretë të grave të shquara të kombit, qershor 2003, Shkup, Maqedoni.

Pensionimin e lajmëroi vetë ajo për të gjithë pacientët dhe të njohurit e saj:

“Desha të ju informoj se puna ime si mjeke në ordinancën time Dr.Teuta pas një karriere pune të gjatë, të palodhur dhe të përkushtuar ndaj shëndetit dhe popullit prej më shumë se 3 dekada i erdhi fundi. Përmes këtij postimit ju informoj që tashmë jam pensionuar dhe desha përzemërsisht të ju falënderohem për respektin dhe dashurinë që më keni dhënë ndër vite. Uroj të keni shëndet ju dhe familjet e juaja”, informoi Teuta Bekteshi Ajeti.