“Dredhit’ e Patukut” teksti i panjohur i Gjergj Fishtës që do të vihet për herë të parë në Teatrin e Tetovës
Komedia “Dredhit’ e Patukut” nga Gjergj Fishta, është shkruar diku mes viteve 1910-1913. Brumin e kësaj komedie Gjergj Fishta e ka marrë nga vepra e Molierit “Les Fourberies de Scapin” të cilën e ka adaptuar, rishkruar dhe përshtatur me traditën dhe kulturën shqiptare, dhe kontekstin kohor të qytetit të Shkodrës në fillim të shekullit të 20-të, njofton Portalb.mk.
Teatri i Tetovës më datë 10 shtator në orën 20.00 do të hap Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove me shfaqjen premierë të përgatitur nga regjisori Kushtrim Bekteshi me kastën e aktorëve të këtij teatri.
Në qendër të komedisë është Patuku dredharak rolin e të cilit e luan Arsim Fazlia.
Ai mjeshtërisht, arrin të zhvat para nga baballarët e pasur e koprracë për t’ju ndihmuar dy fëmijëve të tyre të shthurur që të shpëtojnë nga telashet dhe borxhet e mëdha në të cilat kanë hyrë gjatë mungesës së baballarëve në shtëpi.
Koprracia e të moshuarve, jeta e shthurur e të rinjve, miqësia dhe intriga janë temat kryesore që trajton kjo komedi, e cila ndërthur me mjeshtëri traditën shqiptare me ‘commedia dell’arte’- n italiane. Në këtë shfaqje ‘commedia dell’arte’ është parafrazuar në stilin e aktrimit dhe ndërtimin e karaktereve, në skenografinë e shfaqjes e realizuar nga Betim Zeqiri, e po ashtu edhe në kostumografinë e realizuar nga Emira Ymeri, ku është ndërthurur kostumi tradicional shqiptar me modën qytetare shkodrane të fillimit të shekullit të 20-të.
Kjo vepër e Fishtës gjatë kohë është konsideruar e zhdukur. Për më shumë se 50 vjet e vetmja kopje e mbijetuar, dorëshkrimi i komedisë “Dredhit e Patukut”, është ruajtur e fshehur nën dërrasat e dyshemesë në shtëpinë e zotëri Luigj Baba dhe kështu i ka shpëtuar zhdukjes gjatë periudhës së errët komuniste ne Shqipëri kur Gjergj Fishta ishte i ndaluar dhe librat e tij ishin anatemuar, digjeshin dhe çdokush që i ruante rrezikonte burgun. Ne vitin 2005 djali i tij, Gjovalin Baba, e ka nxjerrë nga poshtë dyshemesë dhe e ka dorëzuar në bibliotekën françeskane në Shkodër. Kjo komedi e Fishtës i ka shpëtuar zhdukjes falë bujarisë dhe guximit të kësaj familjeje shkodrane.
Komedia “Dredhit’ e Patukut”, derisa qe gjallë Gjergj Fishta, është luajtur nga priftërinjtë dhe shumë grupe amatore të asaj kohe. Ndërsa vënia në skenë e këtij teksti në Teatrin e Tetovës do të jetë hera e parë që ky tekst jetësohet në skenën e një teatri profesionist.
Kompozitore: TEUTA HALIMI SELMANI/ Ass. regjisor: AGIM ABDULA/ Piktor: BILGAIP KOÇISHTE – BIGE
Teksti i narratorit: KUSHTRIM BEKTESHI/ Konsulent i gegërishtes: ENRIK SHABANI
Në shfaqje luajnë: ARSIM FAZLIA në rolin e Patukut, ARSIM KALECI në rolin e Tukes, ELMIR SEJFULLAI në rolin e Gjokës, ERMAL ÇANGA luan Lecin, ARTA ZEJNELI luan Linin, por si ide regjisoriale vjen si burrneshë. BLERIM ISMANI luan Ltinin, SAMI MUSTAFA luan Nushin, ABDULLA OSMANI luan Kelin dhe SHEQERIJE ILAZI është Narratori dhe luan Tutin. Afishen e shfaqjes e ka punuar Nagip Ismaili Nagi.