U paralajmërua ndërtimi i objektit të ri për shkollën “Idnina” në Çair

Ministria për Arsim dhe Shkencë ka paralajmëruar që do të ndërtohet një objekt krejtësisht i ri për Shkollën Fillore me Qendrën Burimore “Idnina” në Çair, shkollë për nxënësit me nevoja të veçanta, transmeton Portalb.mk.

“Ministri Shaqiri theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të mbështetjes së USAID-it në ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve shkollore, pajisjen e tyre dhe prokurimin e mjeteve pamore. Një shkollë e tillë është edhe SHF me Qendrën Burimore “Idnina” në Çair ku me mbështetjen e kësaj organizate do të ndërtohet objekt krejtësisht i ri në periudhën e ardhshme”, paralajmëroi Ministria.

Ministri për arsim, Jeton Shaqiri, sot zhvilloi takim me drejtorin e USAID-it, Xheri Dajbëll.

“USAID-i bashkëpunon me Ministrinë në disa projekte që kanë për qëllim përforcimin e sistemit arsimor. E rëndësishme është mbështetja financiare që synon shkrim-leximin mediatik, trajnimin e mësimdhënësve, aktivizimin e të rinjve. Vëmendje e veçantë i kushtohet aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në sistemin e rregullt arsimor”, deklarojnë nga Ministria, duke falënderuar këtë organizatë për mbështetjen financiare në ndërtimin dhe rikonsruimin e objekteve shkollore.