U mbyll samiti i G20, Afrika e Jugut ia dorëzon presidencën SHBA-së
Samiti i G20-ës i cili u mbajt në Johanesburg ka përfunduar dje, transmeton Portalb.mk.
Afrika e Jugut ia dorëzoi presidencën SHBA-së, e cila nuk mori pjesë.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa tha se Afrika e Jugut e vendosi zhvillimin e kontinentit në qendër të agjendës. Ai e përshkroi mbajtjen e samitit si moment historik për Afrikën.
Liderët e G20-ës u zotuan për paqe në Palestinë, Ukrainë, Sudan dhe Republikën Demokratike të Kongos, ku ata dënuan terrorizmin në të gjitha format.
Samiti nisi pa prani të SHBA-së. Më herët, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se nuk do të dërgonte zyrtarë, duke akuzuar Afrikën e Jugut për shkelje të të drejtave të njeriut, pretendime të cilat janë hedhur poshtë nga Afrika e Jugut.
Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola, tha se dorëzimi i presidencës do të bëhet përmes të ngarkuarit me punë të SHBA-së.
Marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve janë në nivel të ulët për shkak të mospajtimeve në politikat e jashtme dhe të brendshme.