Netanjahu u zotua se Izraeli do të vazhdojë sulmet ndaj Hamasit dhe Hezbollahut
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli do të bëjë gjithçka për të parandaluar rigrupimin e Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në Gazë, transmeton Portalb.mk.
Gjatë javës së kaluar, Izraeli goditi disa shënjestra në Liban dhe Gaza.
Në sulmet e shtunës në Gaza, sipas Agjencisë së mbrojtjes civile 21 persona u vranë dhe dhjetëra u plagosën.
Netanjahu tha se Hamasi vazhdon të shkelë armëpushimin e arritur më 10 tetor.
“Këtë fundjavë, IDF-ja [ushtria izraelite] goditi në Liban, dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta penguar Hezbollahun ta rikthejë aftësinë e tij kërcënuese ndaj nesh. Këtë po e bëjmë edhe në Rripin e Gazës. Që prej armëpushimit, Hamasi nuk ka ndaluar së shkeluri atë, dhe ne po veprojmë në përputhje me rrethanat”, tha Netanjahu.
Netanjahu ndër të tjera tha se vendimet e Izraelit për sigurinë janë të pavarura.
Ndryshe, autoritetet në Gaza thonë se ushtria izraelite ka kryer 497 shkelje të armëpushimit që nga hyrja e tij në fuqi. Ndërkaq, qindra protestues u mblodhën të shtunën në Haifa, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe dorëheqjen e qeverisë së Benjamin Netanjahut.