U hap konkursi për bursa studentore “France Excellence” për studime në Francë

Instituti Francez në Shkup ka shpallur konkursin vjetor për bursat “France Excellence”, të destinuara për studentët nga Maqedonia e Veriut që dëshirojnë të vazhdojnë studimet master në Francë për vitin akademik 2026/2027, transmeton Portalb.mk.

Programi mundëson marrjen e diplomës në institucione franceze të arsimit të lartë, me mbështetje financiare që mbulon një pjesë të shpenzimeve për studime dhe qëndrim.

Përfituesit e bursës do të kenë qasje edhe në benefite shtesë, si akomodim dhe sigurim shëndetësor, me qëllim lehtësimin e integrimit gjatë qëndrimit në Francë.

Në konkurs mund të aplikojnë kandidatë me shtetësi të Maqedonisë së Veriut deri në moshën 30 vjeç. Përparësi do të kenë studentët që planifikojnë të studiojnë në gjuhën frënge, veçanërisht në fushat e shkencave natyrore, por do të shqyrtohen edhe aplikimet për programe në gjuhën angleze.

Përzgjedhja do të bëhet mbi bazën e disa kritereve, përfshirë suksesin akademik, motivimin e kandidatit, si dhe cilësinë dhe përputhshmërinë e planit të studimeve me zhvillimin profesional.

Afati i fundit për aplikim është 15 maj 2026, ndërsa informacione të detajuara për kushtet dhe dokumentacionin e nevojshëm mund të gjenden në faqen zyrtare të Institutit.