U dënuan me 52 vjet burgim 5 të akuzuarit për rastin e dhunimit të 11-vjeçares
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur ka shpallur aktgiykim dënues ndaj pesë të akuzuarve B.Rr., D.Rr., F.S., M.S., dhe M.R., të cilët akuzohen për dhunimin e të miturës- që njihet si rasti i 11-vjeçares. I akuzuari B.Rr., u dënua me 12 vjet burgim, ndërkaq katër të tjerët me nga 10 vjet burgim.
Sipas Gjykatës, i akuzuari B.Rr., është shpallur fajtor dhe është dënuar me 12 vjet burgim. Kurse, të akuzuarit D.Rr., F.S., M.S., dhe M.R., janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar secilit veç e veç me nga 10 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të akuzuarve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Me këtë vendim, të akuzuarit obligohen secili veç e veç që në emër të shpenzimeve të procedurës penale- për paushallin giyqesor të paguajnë shumën nga 500 euro dhe në emër te taksës për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit, secili veç e veç shumën nga 50 euro, të gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të marrë formën e prerë.
E dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil. Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.