U botuan memoaret e një jete të tërë në arsim nga profesori Xhemaludin Idrizi

Tashmë, kemi një mundësi më shumë që përmes kësaj vepre të futemi në përvojën e tij dhe të njihemi me plot dukuri e fenomene që i ka kaluar arsimi. Vepra është shkruar në formën e një ditari personal dhe janë përfshirë lëvizjet shoqërore dhe zhvillimet arsimore në vitet ’50 të shekullit të kaluar si edhe ato që përfshin Jugosllavinë komuniste, më vonë Maqedoninë në tranzicion bashkë me kapitalizmin e pluralizmin, njofton Portalb.mk.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Vepra është e karakterit monografik, ndërsa autori është profesori dhe doktori i shkencës Xhemaludin Idrizi, i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit. Tashmë, kemi një mundësi më shumë, që përmes kësaj vepre, të futemi në përvojën e tij dhe të njihemi me plot dukuri e fenomene që i ka kaluar arsimi. Pjesa e parë e veprës flet për fëmijërinë, vendlindjen dhe fillimin e arsimimit të autorit, atë katërvjeçar dhe tetëvjeçar, po ashtu kreu arsimin e mesëm në Gostivar si gjenerata e parë 1960/64. Studimet i mbaroi në Shkup, ndërsa studimet pasuniversitare në Qendrën Ndëruniversitare në Dubrovnik, në Universitetin e Zagrebit. Punoi si mësues në disa shkolla fillore dhe në Radio Shkupi II,  po ashtu si këshilltar i pavarur pedagogjik në Entin Ndërkomunal të Përparimit të Edukimit dhe Arsimit Parashkollor dhe Fillor të Qytetit të Shkupit. U diferencua ideologjikisht- politikisht në Ent dhe u shpall nacionalist dhe irredentist shqiptar, më pas u larguar nga puna. Më vonë u angazhua si profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku”, mandej drejtor i po këtij gjimnazi. Punoi si profesor i sintaksës së gjuhës së sotme shqipe në UEJL (Max Van der Stoel) në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, si dhe profesor universitar jashta Maqedonisë, në universitetin “Trakya” në Edrene të Turqisë, në Qendrën e Gjuhëve Ballkanike të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe etj.

Në këta libër të ri të profesorit përfshihen të analiza, hulumtime, përgatitja e testeve për vlerësimin e procesit arsimor në lëndën gjuhë shqipe, vlerësimi i punës së përgjithshme të shkollave dhe shumë punë të tjera, aktivitete që kanë të bëjnë me shkollën, gjegjësisht edukimin dhe arsimin në Shkup dhe në Maqedoni.

Autori jep një pasqyrë të gjerë të të gjitha temave të përgatitura nga fusha e metodikës së gjuhës amtare, të cilat i realizon në këshillimet dhe seminaret e mbajtura me mësimdhënësit në Shkup dhe në qytete të tjera të Maqedonisë, si autor dhe bashkautor i librave të leximit për IV, V, VI, VII. dhe VIII, teksteve për arsimin e mesëm gjuha shqipe dhe letërsia për klasën e parë të gjimnazit të reformuar dhe gjuha shqipe dhe letërsia për klasën e parë për shkollat e mesme në Maqedoni etj. Profesor Xhemaludini ka botuar shumë libra studimorë me karakter shkencor me tema nga onomastika, gjuhësia, letërsia popullore dhe vlerësimi i teksteve me karakter gjuhësor.

Monografia është e ilustruar me fotografi adekuate me ngjyra që e freskojnë pjesën tekstuale dhe zgjojnë interesim të veçantë te lexuesit për gjithçka që ka ngjarë në periudha të caktuara kohore.

Me këtë libër, autori na jep një pasqyrë autoktone dhe realiste të gjithçkaje që ka hasur në jetën e tij, si në edukimin, punën, veprimin në dy sisteme të ndryshme politike, në atë komunist dhe në atë plural. Libri do të jetë me interes të veçantë, sepse në të mund të shihen dhe mësohen më shumë ngjarje shoqërore dhe politike në dy sistemet e lartpërmendura.

Rrëfimet e profesorit janë interesante, e sidomos përvojat në arsim mund t’i ndihmojnë mësuesit e rinj që dëshirojnë të këshillohen më një udhëzues nga një doajen i arsimit siç është profesori Xhemaludin i cili një jetë të tërë ia kushtoi arsimit. Për ata që janë të interesuar për librin në formë elektronike, mund ta gjejnë KËTU.