U botua libri i parë i këtij lloji në RMV, “Muzikë, Art dhe Dashuri” me kompozime autoriale të Arben Demirit

Këto ditë, doli në dritë libri voluminoz Muzikë, Art dhe Dashuri” i autorit Arben Demiri. Libri në fjalë ka 60 pjesë muzikore të cilat janë të ndara në 11 kapituj, në të cilin gjenden kompozime autoriale (të autorittë muzikës klasike (serioze), si dhe orkestrime të këngëve popullore dhe qytetare shqiptare dhe dy valle popullore të cilat i ka përzgjedhur nga treva të ndyshme që i ka përpunuar me shumë përkushtim, dashuri dhe pasion, njofton Portalb.mk.

Në një intervistë për Portalb.mk autori i librit Arben Demiri tha se për herë të parë, në këtë libër është shënuar me nota në pentagram dhe parti (pjesa) për instrumentin me të goditur-baterinë, me të gjitha elementet e saja: daullja bas, daullja bariton, pjatat etj. Prandaj dhe kjo ishte një risi dhe diçka shumë interesante që te publiku ngjalli interesim dhe ishte i mirëpritur bukur mirë.

Portalb.mk: Arben na tregoni se çfarë shpalos libri ” Muzikë, Art dhe Dashuri”?

Arben Demiri: Materialet e librt ”Muzikë, Art dhe Dashuri” paraqesin një pjesë të kompozimeve dhe orkestrimeve të mia, të muzikës instrumentale. Në këtë libër ka 60 pjesë muzikore të cilat janë të ndara në 11 kapituj.

Në librin të cilin e titullova ”Muzikë, Art dhe Dashuri”, gjenden kompozime autoriale (të mia) të muzikës klasike (serioze), si dhe orkestrime të këngëve popullore dhe qytetare shqiptare dhe dy valle popullore të cilat i përzgjodha nga treva të ndyshme që i përpunova me shumë përkushtim, dashuri dhe pasion.

Pjesët e muzikës serioze, të cilat i kam kompozuar, janë shprehje e emocioneve të mia ashtu siç i kam përjetuar në momentet gjatë kompozimit të këtyre veprave. Gjithmonë më ka pëlqyer kontrapunkti si dhe karakteri virtuoz.

Sa u përket orkestrimeve të këngëve popullore dhe qytetare, këto i kam sjellë në një stil pak më modern, por gjithsesi gjithmonë duke pasur parasysh që të ruaj origjinalitetin dhe atë që është tradicionale.

Portalb.mk: Si u prit nga publiku botimi i këtij libri?

Arben Demiri: Të them të drejtën, libri u prit jashtëzakonisht bukur nga publiku ngase është një libër i llojit të parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut por dhe më gjerë sepse në vete ajo përmban vepra për formacione të ndryshme orkestrale dhe vepra të cilat janë të formave të ndryshme muzikore si p.sh. invenca dyzëshe për piano, invencë dyzëshe për duo violinash, variacione mbi një temë popullore, mazurkë, vals, etj.

Gjithsesi se këtu nuk duhet harruar dhe orkestrimet e këngëve popullore dhe atyre qytetare që unë i solla në një stil pak më avangard ku në shprehje erdhi kontrapunkti.

Këtu janë përfshirë një numër i madh instrumentesh: piano, violinë, violë, violonçelo, kontrabas, oboe, flaut, klarinetë, bas kitarë, kitarë akustike, fizarmonikë, harp, mandolinë, trumbet, bateri.

Për herë të parë, në këtë libër është shenuar me nota në pentagram dhe parti (pjesa) për instrumentin me të goditur-baterinë ,me të gjitha elementet e saja: daullja bas, daullja bariton, pjatat etj. Prandaj dhe kjo ishte një risi dhe diçka shumë interesante që te publiku ngjalli interesim dhe ishte i mirëpritur bukur mirë.

Portalb.mk: Cilat ishin sakrificat deri në përfundim të librit?

Arben Demiri: Sa i përket pyetjes së Juaj se cilat ishin sakrificat e mia deri në përfundimin e librit, unë do të them se sakrifikova nga koha të cilën çdo ditë e kisha planifikuar për ushtrime me instrumentin që më së shumë e dua, e kjo është fizarmonika, sakrifikova nga koha e lirë që duhej të kaloja me familjen time, me shokët por dhe kohën që duhej për pushim. Jo rastësisht e them këte sepse ka pasur ditë kur unë kam punuar nga 12 orë në ditë.

Për realizimin e këtij libri unë punova 4 vjet. Edhe për nga vetë vëllimi i librit, mund të shihet se është dashur një punë goxha e madhe sepse ky libër ka 586 faqe dhe për të realizuar një vëllim të tillë gjithsesi se është dashur kohë por dhe përgjegjësi sepse për të shkruar muzikë për një numër më të madh instrumentesh, për të orkestruar një pjesë të këngëve popullore shqipe, duhet pasur kujdes që ato të sillen në mënyrën më të mirë të mundëshme te publiku, artdashësit si dhe te profesionistët të cilët meren me këtë profesion, gjegjësisht me këtë lloj të artit.

Por do të them se, çdo gjë që punohet me dashuri, përkushtim dhe pasion, ka rezulat dhe lodhja aspak nuk ndjehet e sakrificat pothuajse harrohen. Rezulati i kësaj pune 4 vjeçare, është libri im i parë ”Muzikë, Art dhe Dashuri”.

Të potencoj edhe atë që librin e vetëfinancova, pa mbështetjen e asnjë Institucioni Shtetëror.

Arben Demiri, foto me leje nga autori
Arben Demiri, foto me leje nga autori

Portalb.mk: Mendon se ky libër do ju dalë në ndihmë të gjithë atyre që janë në këtë profesion?

Arben Demiri: Mendoj se ky libër do tu shërbejë instrumentistëve profesionistë, orkestreve për fëmijë, formacioneve të ndyshme orkestrale, arsimtarëve dhe profesorëve të muzikës, të cilët do ta kenë shumë më lehtë që nëpërmjet notave muzikore me të cilat janë shkruar këto pjesë muzikore në këtë libër, që po të njejtat ti interpretojnë pa problem.

Me botimin e këtij libri, shpresoj që kam dhënë një kontribut të veçantë në ruajtjen dhe kultivimin e muzikës së mirëfilltë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.

Portalb.mk: Kush ju ka mbështetur në realizimin e këtij libri kaq voluminoz?

Arben Demiri: Për realizimin e librit dua ti falemnderohem piksëpari familjes sime: nënës, motrës, nipave dhe në veçanti babait tim (i ndjerë), i cili për fat të keq nuk është mes nesh por ai ishte “shkaktari” kryesor që unë fillova rrugëtimin në këtë art të bukur, të quajtur muzikë, njeriu nga i cili e dashurova muzikën dhe nga i cili mësova shumëçka për muzikën.

Familja ime gjithmonë më ka mbështetur gjatë karierës sime muzikore e cila nuk është vogël, 38 vite përvojë muzikore.

Gjithashtu mbështetje dhe përkrahje kam pasur edhe nga shumë shokë, miq dhe natyrisht nga pedagogë muzikor, të cilët në këtë rast dua ti përmendi dhe tu falenderohem për gjithçka që bënë për mua gjatë realizimit të librit si dhe ndër vite si profesionist i muzikës, ata janë: prof. Bashkim Idrizi, prof. Blerim Grubi, prof. Darja Dvornik, prof. Vikica Kostoska Peneva, prof. Arjana Kuriu Grubi,  prof. Sofia Kola, prof. Sasho Livrinski- Lavrod, prof. Xhemaludin Idrizi, prof. Subija Izeiroski, prof. Fatbardha Doko, Albina Idrizi, Eroll Osmani, Valon Imeri, Bekim Imeri, prof. Haki Imeri.