Mbrëmë u mbajt nata e parë e Festivalit folklorik të Këngës “Oda Dibrane 2024”, u prit ngrohtësisht nga publiku
Mbrëmë në Dibër u mbajt nata e parë e Festivalit folklorik të Këngës “Oda dibrane”. Ky festival ka krijuar një traditë në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore ku marrin pjesë grupe nga Shqipëria, Kosova, Republika e Maqedonis së Veriut dhe shumë vende të tjera, njofton Portalb.mk.
Ky festival organizohet nga Komuna e Dibrës në bashkëpunim me qytetin kufitar të Peshkopisë.
Nata e parë u shfaq mbrëmë në qytetin e Dibrës Madhe kurse sonte nata finale do të jetë në qytetin e Dibrës së Vogël (Peshkopisë).
Festivali u hap nga të dy kryetarët e komunave dhe vazhdoi me prezentimin e shoqërive kulturore artistike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Surprizë e këtij festivali ishte çfaqja e Ansamblit Shtetëror të Republikës së Shqipërisë si dhe Shoqëria Arbëreshe nga Kalabria e Italisë.
Ky festival u ndoq nga publiku artëdashës dibran si dhe nga shumë persona të njohur nga fusha e artit dhe kulturës.
Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës në fjalën e tij përshëndetëse tha se “ky është një eveniment shumë i rëndësishëm kulturor që na bashkon të dy Dibrave”.
Gjithashtu në profilin e tij në facebook Duka ka shënuar se “Komuna e Dibrës do të mbështesë kulturën, artin dhe sportin si dhe të gjitha aktivitetet shoqërore pozitive që rinia jonë të jetë vazhdimisht aktive në promovimin e vlerave të Dibrës në arena të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Në ditët dhe muajt në vijim do të kemi edhe surpriza të tjera shumë interesente për të cilat do tju informojmë në vazhdimësi, ka shënuar Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës.
“Oda dibrane” në gjuhën popullore simbolizon dhomën e pritjes së mikut, ajo është simbol i vatrës së besës e bujarisë, qëndresës e trimërisë shqiptare.