U arrestuan dy shtetas të RMV-së në Sarandë, i vodhën çantën një grekeje (Video)

Dy shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë përfunduar në pranga në Shqipëri pasi i vodhën çantën me sende personale një pushueseje nga Greqia, transmeton Portalb.mk.

Policia e Shqipërisë njoftoi se janë sekuestruar disa nga sendet e vjedhura dhe automjeti me të cilën dy autorët u larguan pas vjedhjes.

“Si rezultat i administrimit të shpejtë të kallëzimit të një pushueseje greke, se më datë 17.08.2024, në plazhin e quajtur “Pema e Thatë”, i kishin vjedhur çantën me 2 celularë, 3 palë syze, kuletë me para dhe me sende të tjera personale, Komisariati i Policisë Sarandë ka mundësuar identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të rastit, shtetasve D. Sh., 24 vjeç dhe S. N., 28 vjeçe, të dy banues në Maqedoninë e Veriut”, thanë nga Policia e Shqipërisë.

Nga atje njoftuan se vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “vjedhja”, kryer në bashkëpunim.