Turqia rriti normat e interesit në 15%

Banka qendrore e Turqisë ka rritur normat e interesit për herë të parë në më shumë se dy vjet, nga 8.5 për qind në 15 për qind, raportoi të enjten “The Guardian”, përcjell Koha.net.

Megjithatë ekzistojnë shqetësimet se kjo masë është e pamjaftueshme për të luftuar inflacionin në rritje dhe krizën e vazhdueshme ekonomike.

Komiteti i politikës monetare të bankës qendrore ka thënë se normat janë rritur për të filluar procesin e shtrëngimit monetar në mënyrë që të vendoset kursi i deflacionit për të kontrolluar përkeqësimin lidhur me çmimet.

Inflacioni është rritur në nivele që po rezultojnë të padurueshme për pjesë të mëdha të popullsisë, duke shkaktuar krizë të gjerë të kostos së jetesës. Zyrtarisht, inflacioni në Turqi është në 39.59 për qind, megjithëse vlerësimet jozyrtare nga Grupi i pavarur i Kërkimit të Inflacionit të Turqisë e vendosin atë në 110 për qind.

“Vendimi i sotëm është i pamjaftueshëm për të kompensuar dobësimin e lirës”, ka thënë Selva Demiralp, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin Koç në Stamboll.