486 qytetarë në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar pësuan vdekje të dhunshme

Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2022 janë regjistruar 486 vdekje të dhunshme, ashtu që shumica e viktimave, 72.8 % kanë qenë meshkuj, transmeton Portalb.mk.

“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, numri i personave të vdekur si pasojë e vdekjes së dhunshme këtë vit krahasuar me vitin paraprak, është ulur për 28.2 %, dhe i njëjti është 486 persona të vdekur. Kjo kategori e të vdekurve marrin pjesë me 2.2 % në mortalitetin e përgjithshëm në vend”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Enti sqaroi që 78.6 përqind e vdekjeve të dhunshme janë nga fatkeqësitë, ku gjysma e tyre pësuan nga lëndimet e rastësishme, 20.2 përqind janë nga vetëvrasjet dhe 1.2 përqind nga vrasjet.

Në tri dekadat e fundit, më së paku vdekje të dhunshme ka pasur në vitin 2017, kur u regjistruan 421 vdekje të tilla.